Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi dje rifillimin e veprimtarisë dhe shërbimeve gjyqësore në të gjitha gjykatat në Republikën e Shqipërisë në datën 27 prill 2020. Por pyetja që lind është si do të shkojnë qytetarët në kushtet e karantinës, ku lëvizja lejohet vetëm me autorizim? KLGJ-ja ka sqaruar se qytetarët mund të paraqiten në gjykatë vetëm “Nëse keni një çështje të ngutshme, kur diçka e tillë ju është komunikuar prej personelit të gjykatës. Nëse nuk ju kanë kontaktuar nga gjykata, komunikoni me gjykatën nëpërmjet telefonit/postës elektronike (e-mail), përpara se të paraqiteni fizikisht pranë saj”.
KLGJ-ja gjithashtu ju kërkon gjykatave që të zbatojnë rigorozisht masat e caktuara nga Ministria e Shëndetësisë për parandalimin e përhapjes së Covid-19. “Në këto masa përfshihen dezinfektimi, pastrimi i rregullt, mbajtja e distancës prej 2 metrash midis të gjithë individëve në gjykatë, si midis personelit gjyqësor, ashtu edhe përdoruesve të gjykatës, marrja e masave për pajisjet mbrojtëse personale, si maska, doreza, etj. Në lidhje me këto, Këshilli po përgatit rregulla të hollësishme”.
Megjithatë KLGJ-ja thekson se seancat gjyqësore të çështjeve administrative, civile dhe penale të një natyre jo të ngutshme vazhdojnë të jenë të pezulluara në të gjitha gjykatat. Afatet për ngritjen e padive, për paraqitjen e ankimeve si dhe për kryerjen e çdo veprimi procedural në çështjet administrative, civile dhe penale të një natyre jo të ngutshme vazhdojnë të jenë të pezulluara. /e.s/