Duke filluar nga java që vjen, në disa qytete të vendit do të ketë më shumë liri lëvizje. Sipas kryeministrit Rama, hapja do të bëhet në mënyrë graduale, fillimisht në ato qytete ku numri i të prekurve me koronavirus është shumë i ulët, apo nuk ka raste të regjistruara.
“Tani jeni bërë të gjithë ekspertë testesh, në vend që të dëgjoni vetëm ekspertët që kanë mandat institucional, dhe jo ata që nuk mbajnë përgjegjësi. Ne nga fillimi i javës tjetër në një sërë zonash të vendit do të kemi një relaksim më të madh sesa në Tiranë apo zona të tjera me risk më të lartë. Nuk do të hapet transporti nga një zonë në tjetrën në asnjë mënyrë edhe për disa ditë dhe javë. Por do të lejohet lëvizje e relaksuar në zonat me risk të ulët, qarku i Gjirokastrës do të ketë më shumë lehtësirë. Po kështu i Dibrës i gjithi. Po kështu bashkia e Divjakës, sikur edhe Saranda, Konispoli dhe Himara, të ndërmjetme. Po kështu zonat Pogradec, Prrenjas dhe Librazhd. Do të bëjmë me dije rregullat që do të funksionojnë në këto zona”, tha kryeministri Rama. /e.s/