Perikli (Petrika) Treska u vra me thikë rreth orës 20:30 të mbrëmjes së të enjtes në lagjen numër 7, në qendër të qytetit të Korçës.
67-vjeçari është gjetur fillimisht i plagosur, nga bashkëshortja e tij pranë banesës së tij, ndërsa nuk dihen shkaqet e kësaj ngjarjeje.
Policia bën me dije se për vrasjen e 67-vjeçarit është arrestuar fqinji i tij, i dyshuar si autor i ngjarjes.
Elvis Treska nipi i viktimës, në një prononcim për ABC News thotë se autori ishte njeri pa njeri dhe se xhaxhai i tij Petrika nuk kishte shprehur shqetësime dhe nuk kishte thënë asgjë rreth konfliktit.
Jeni i afërm i Petrikës?
Po jam nipi.
Si ka qenë Petrika?
Petrika ka qenë një burrë i nderuar, i dashur, ka qenë mirë. Shihte punën e tij nuk ngatërrohej me njeri.
Jeni të tronditur?
Po shumë.
Cilat janë motivet e kësaj ngjarje?
Me sa dimë ka qenë një person me probleme, nuk e dimë sa rëndë ka qenë mendërisht. Ai banonte këtu dhe krijonte probleme. Xhaxhai nuk na ka shprehur shqetësime. Konflikti që kanë patur me njëri-tjetrin më përpara nga ajo çfarë kemi mësuar sot, sepse nuk e dinim, ka qenë për punë korrenti, dritën e shkallës. Por kjo ishte mbyllur. As nuk ishte agravuar, as nuk është degjeneruar debati i tyre në dhunë. Nuk di çfarë të them më shumë. Ky episod nuk ishte përmendur sepse ishte i parëndësishëm. Tani që na ndodhi kjo ngjarje nuk dimë çfarë të them pse ka ndodhur. Ishte familje e rregullt. Shpresojmë që kjo ngjarje të zbardhet sa më shpejt e të merret dënimi i merituar për autorin.
Keni patur kontakte me familjen e autorit?
Nuk kishte familje, ishte pa njeri. Por nuk na intereson familja e tij por që ai të marri dënimin e merituar.