Teksa pyetet për deklaratat e 2 marsit, sipas të cilit ishte i gatshëm të shkonte në Parlament dhe të vendoste shpërndarjen e tij, Presidenti Ilir Meta thekson se në kushtet aktuale nëse nuk do të merreshin parasysh propozimet e tij, do të kishte qëndrim tjetër.
“Unë jam president i shqiptarëve dhe dua t’i mbroj ata ndaj çdo lloj abuzimi. Në rast se Parlamenti nuk do t’i merrte parasysh propozimet, unë do të kisha qëndrim tjetër. Kam kërkuar që në fillim që gjithçka të bëhet në ligjshmëri të plotë. I kam kërkuar qeverisë më shumë transparencë. Në qoftë se do konsensus më shumë, prodho më shumë transparencë”, thekson Meta.
I pyetur se pse nuk ka reaguar për nxjerrjen e ushtrisë në rrugë, kreu i shtetit thotë se ushtria është e popullit.
“Unë mendoj se i kam bërë të gjitha reagimet e mia. Kushdo që mendon se do të dalë ushtria dhe të trembi popullin e ka gabim. Ushtria është e popullit. Ushtria jo vetëm që ka mision të përcaktuar qartë por ka edhe angazhim dhe detyrime të tjera. Nuk besoj se kjo është diçka shqetësuese. Shumë vende janë tërhequr nga Konventa e të Drejtave të Njeriut. Ajo që për mua është e rëndësishme është një transparencë më e mirë”, u shpreh ai në Syritv.
g.kosovari