Edhe pse ndodhemi në kushte pandemie Lëvizja Vetëvendosje ka filluar të bëjë thirrje për të mbajtur një manifestim për zgjedhje në sheshin “Skënderbe” në Prishtinë, pas masave kufizuese më 4 maj.
Simpatizantë të Vetëvendosjes janë duke e bërë thirrjen përmes rrjetit social “Facebook”, ku këtë ngjarje e kanë parashikur ta mbajnë në ora 14:00, pasi Hashim Thaçi ka mbledhur partitë politike për krijimin e një qeverie të re pa shkuar në zgjedhje.
“Pas përfundimit të ligjit për kufizimin e lëvizjes (për parandalimin e COVID-19) të hënën 4 maj 2020, të dalim të gjithë në manifestim për mbrojtjen e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e tyre.
Ndër tjera në njoftimin e tyre thuhet se duan zgjedhje të reja dhe qeveri legjitime. “Duam zgjedhje dhe nuk lejojmë vjedhjen e pushtetit. Duam një qeveri legjitime dhe të zgjedhur nga votat e popullit të Kosovës. Mos shpërfillni vullnetin e popullit. U bo boll! Jemi lodhë!”, thuhet ndër tjera në këtë njoftim.
Mirëpo ndërkohë kujtojmë se e gjithë bota është në izolim për shkak të parandalimit të koronavirusit.
Organizata Kombëtare e Shëndetit vazhdimisht është duke bërë thirrje që mos të dilet jashtë shtëpive dhe të mbahet distancë sociale për shkak të mos përhapjes së pandemisë. /e.s/