Craig Coopersmith ishte zgjuar herët atë mëngjes si zakonisht për të hapur me ankth telefonin e tij. “Mirëmëngjes, Ekipi Covid,” shkroi ai, duke kërkuar përditësime nga drejtuesit e ekipit të mjekëve që punojnë në 10 spitale në Atlanta.
Një mjek iu përgjigj duke thënë se një nga pacientët e tij kishte një problem të çuditshëm në gjak. Pavarësisht se ishte trajtuar me antikoagulantë, pacienti kishte akoma mpiksje. Një tjetër tha që kishte parë diçka të ngjashme. Më pas edhe një i tretë . Brenda pak minutash, çdo person në grupin e Whatsappit raportoi të njëjtën gjë.
“Ky ishte momenti kur e kuptuam se kishim një problem të madh,” tha Coopersmith, një kirurg i kujdesit intensiv. Ndërsa kontrollonte me homologët e tij në qendra të tjera mjekësore, ai u alarmua gjithnjë e më shumë: “Simptoma e çuditshme dhe e panjohur ishte shfaqur në 30 ose 40 përqind të pacientëve të tyre.”
Një muaj më parë kur SHBA hyri në izolim për t’u përgatitur për valën e parë të rasteve të koronavirusit, shumë mjekë ishin të sigurt se dinin se çfarë i priste. Bazuar në raportet e hershme, Covid-19 dukej se ishte një virus i frymëmarrjes, megjithëse ngjitës dhe vdekjeprurës, që nuk mund të parandalohej as nga vaksina dhe as të shërohej me ilaçe. Që atëherë ata kanë parë se si Covid-19 sulmon jo vetëm mushkëritë, por edhe veshkat, zemrën, zorrët, mëlçinë dhe trurin.
Gjithnjë e më shumë, mjekët gjithashtu raportojnë raste shqetësuese që nuk duket se ndjekin ndonjë prej librave shkollorë të cilat i kanë studiuar me vite. Ata flasin për pacientë me nivele të ulëta oksigjeni, aq të ulët sa që ata normalisht do të ishin të pavetëdijshëm ose afër vdekjes, që janë të gjendje të flasin dhe të rrinë në telefona. Gratë shtatzëna që nuk shfaqin asnjë simptomë pësojmë befas arrest kardiak. Pacientët që janë në gjedje të shkëlqyer shëndetësore përkeqësësohen brenda disa minutave dhe vdesin në shtëpi.
Pa modele të qarta për sa i përket moshës apo kushteve kronike, disa shkencëtarë thonë se të paktën disa nga këto anomali mund të shpjegohen me ndryshimet që pëson gjaku i pacientëve pasi infektohet.
Shqetësimi është aq i madh, disa grupe mjekësh kanë ngritur mundësinë për t’u dhënë holluesve parandalues gjakut të gjithë pacientëve me Covid-19, madje edhe për ata që po kurohen në shtëpi.
Mpiksja e gjakut, në të cilën lëngu i kuq kthehet në formë xhel, duket se është e kundërta e asaj që ndodh me Ebolan, Denguen, Lassan dhe ethet e tjera hemorragjike që çojnë në gjakderdhje të pakontrolluar.
Autopsitë kanë treguar që mushkëritë e disa njerëzve mbushen me qindra mikroklote. Mpiksjet e gabuara të gjakut në një madhësi më të madhe mund të shkëputen dhe të udhëtojnë në tru ose zemër, duke shkaktuar një goditje në tru ose atak në zemër. Të shtunën, aktori amerikan Nick Cordero, 41 vjeç, u zgjua me këmbën e djathtë të amputuar pasi u infektua me koronavirusin dhe mjekët u detyruan të vepronin shpejt për të ndalur mpiksjen e gjakut.
Levis Kaplan, një mjek i Universitetit të Pensilvanisë dhe drejtues i Shoqatës Amerikane të Mjekësisë së Kujdesit Intensiv, tha se çdo vit mjekët trajtojnë njerëzit me koagulim, ata me kancer apo viktimat e një traume të rëndë, por se nuk kishin parë kurrë “një mpiksje si kjo”.
“Problemi që ne nuk e kuptojmë se pse pacienti ka mpiksje gjaku,” tha Kaplan. “Ne nuk e dimë. Nuk kemi asnjë shpjegim mjekësor. Dhe për këtë arsye, ne jemi të frikësuar ”.
Sipas mjekëve, shenja e parë që diçka po shkonte keq, shfaqet në këmbë, e fillon të ënjtjet dhe të marrë ngjyrë të çuditshme blu. Edhe pacientët me hollues gjaku po shfaqnin mpiksje, gjë që nuk është e pazakontë për një ose dy pacientë në një njësi të kujdesin intensiv, por nuk është normale për kaq shumë pacientë në të njëjtën kohë.
Pastaj erdhën autopsitë. Kur hapën mushkëritë e disa pacientëve të ndjerë, mjekët prisnin të gjenin prova të pneumonisë dhe dëmtimit të qeseve të vogla të ajrit që shkëmbejnë oksigjenin dhe dioksidin e karbonit midis mushkërive dhe rrjedhës së gjakut. Përkundrazi, ata gjetën mpiksje të vogla në të gjithë mushkërinë.
Pas këtyre zbulimeve, mjekët amerikanë u mblodhën në disa nga qendrat më të mëdha mjekësore në të gjithë vendin, Tufts. Yale, Universiteti i Pensilvanias, Brigam dhe Kolumbia. Megjithëse nuk kishte konsensus mbi biologjinë se pse po ndodhte kjo dhe çfarë mund të bëhej për ta ndaluar, shumë mjekë besojnë se mpiksjet e gjakut, mund të ishin përgjegjëse për një pjesë të konsiderueshme të vdekjeve të SHBA nga covid-19, ndoshta duke shpjeguar pse kaq shumë njerëz po vdesin në shtëpi.
Studiuesit amerikanë thonë se ka të dhëna se problemet me gjakun kishin qenë gjithashtu një problem në Kinë dhe Itali, por të gjithë mjekët ishin përqendruar tek shkatërrimi i mushkërive. “Ne nuk kemi dëgjuar informacione të gjera në lidhje me këtë nga vendet e tjera, “tha Greg Piazza, një specialist kardiovaskular që ka filluar një studim të mpiksjes së gjakut si pasojë e Covid-19.
Helen W. Boucher, një specialiste e sëmundjeve infektive në Qendrën Mjekësore Tufts, tha që nuk ka asnjë arsye të mendojmë se virusi po shfaqet ndryshe në Shtetet e Bashkuara. Më shumë gjasa, tha ajo, problemi ishte më i dukshëm për mjekët amerikanë për shkak të demografisë unike të pacientëve amerikanë, duke përfshirë përqindje të mëdha të të prekurve me sëmundje të zemrës dhe mbipeshë, që i bëjnë ata më të prekshëm ndaj mpiksjes së gjakut.
Mpiksja shkak kryesor i vdekjes nga Covid-19?
Sistemi i qarkullimit të gjakut shpesh përshkruhet si një rrjet arteriesh që lidhin zemrën me organet e tjera. Gjaku është sistemi i transportit, përgjegjës për lëvizjen e lëndëve ushqyese në qeliza dhe largimin prej tyre. Një ftohje e zakonshme ose një prerje në gisht mund të çojë në ndryshime të vogla, por kur trupi pëson një traumë më të rëndësishme, gjaku mund të mbingarkohet, duke çuar në një çekuilibër që mund të shkaktojë mpiksje të tepërt ose gjakderdhje, dhe nganjëherë të dyja.
Harlan Krumholz, specialist kardiak në Qendrën Spitalore të Yale, tha se askush nuk e di nëse komplikimet e gjakut pas infektimit me Covid-19 janë rezultat i një sulmi të drejtpërdrejtë në enët e gjakut ose një përgjigje hiperaktive inflamatore ndaj virusit nga sistemi imunitar i pacientit.
“Një nga teoritë është që pasi trupi të angazhohet kaq shumë në një luftë kundër një pushtuesi, trupi fillon të konsumojë faktorët e koagulimit duke çuar në mpiksje gjaku ose gjakderdhje. Ebola shkaktonte gjakderdhje. Covid-19 mpiksje gjaku, “tha ai.
Një studim holandez i botuar më 10 Prill në revistën “Thrombosis Research” dha më shumë prova se ky problem ishte i përhapur edhe në Europë, duke zbuluar se 38 përqind e 184 pacientëve të Covid-19 në njësitë e kujdesit intensiv kishin mpiksje gjaku. Studiuesit e cilëson një studim të parakoshëm, sepse shumë prej pacientëve ishin akoma në spital dhe rrezikonin komplikime të mëtejshme.
Të dhënat e hershme nga Kina për një mostër prej 183 pacientësh treguan më shumë se 70 për qind e pacientëve që vdiqën nga Covid-19 kishin mpiksje gjaku.
“Megjithëse problemet me frymëmarrjen duket të jetë shkaku kryesor i vdekjes së pacientëve me Covid-19, komplikimet e gjakut nuk janë shumë larg”, tha Behnood Bikdeli, mjek në Qendrën Mjekësore të Universitetit të Kolumbias.
“Supozimi im është se mpiksja e gjakut është një nga tre shkaqet kryesore të vdekjes dhe përkeqësimit të pacientëve me Covid-19,” tha ai.
Këto zbulime të reja në shumë spitale të ndryshojnë mënyrën se si mendojnë për sëmundjen dhe të mësojmë si ta menaxhojnë atë. Kur koronavirusi u shfaq për herë të parë, Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve i kishin vendosur njerëzit me astmë në krye të listave të më të prekurve. Por studiuesit europianë vunë në dukje se ishte “befasuese” se pacientët me astmë nuk ishin ndër grupet më të prekura. Në fillim të këtij muaji, kur shteti i Nju Jorkut publikoi të dhëna për problemet kryesore shëndetësore kronike të atyre që vdiqën nga covid-19, astma nuk ishte midis tyre. Përkundrazi, ata kishin pothuajse të gjithë probleme kardiovaskulare.
Disa qendra mjekësore kanë filluar t’i japin të gjithë pacientëve të shtruar në covid-19 doza të vogla të holluesve të gjakut si masa parandaluese, dhe shumë po ruajnë doza për të sëmurët që janë në gjendje të rëndë. Sfida është sa më shumë hollues t’u jepen pacientëve, aq më i madh është rreziku i prishjes së ekuilibrit të pacientit.
“Ka shumë spekulime,” tha Krumholz. “Kjo është një nga gjërat më të vështira në lidhje me këtë virus. Ne jemi akoma në errësirë.”/ “Washington Post”
g.kosovari