Gjyqtarja Fatmira Hajdari ka dhënë dorëheqjen nga gjykimi i dosjes së Lulzim Bashës dhe dy zyrtarëve të tjerë të Partisë Demokratike. Sot ishte planifikuar seanca e radhës në Gjykatën e Apelit, por është shtyrë për shkak të vendimit të gruas së Azem Hajdarit për të hequr dorë nga dosja.
Por përse u dorëhoq tani Fatmira Hajdari, pasi në 26 mars ishte në drejtimin e seancës të cilën e shtyu? Gazetari i Report Tv Arsen Rusta ka mësuar se gjyqtarja ka deklaruar se vendimin e ka marrë për të shmangur paragjykimin.
“Nuk kam lidhje familjare por për të mos pasur paragjykime largohem nga cështja, pasi Lulzim Basha ka qenë në shtëpinë time për përkujtimin e bashkëshortit (Azem Hajdarit)”, mësohet se ka thënë Fatmira Hajdari.
Gjykata e Tiranës në gjyqin paraprak që u zhvillua më 13 janar vendosi pushimin e çështjes së lobimit për kryetarin e PD-së Lulzim Basha dhe dy zyrtarët e tjerë të PD-së, ish-sekretarin e përgjithshëm Arben Ristani dhe financierin e partisë Ilir Dervishi.
Kështu dy vite hetime nga prokuroria e Tiranës, gjyqtari Lazer Sallaku i cilësoi të pavlefshme duke rrëzuar akuzën e ngritur nga organi i akuzës për falsifikim kundër Lulzim Bashës dhe dy zyrtarëve të tjerë të PD-së, pasi sipas tij nuk faktohet një gjë e tillë.
Me një vendim të tillë, prokuroria nuk ishte dakord dhe vendosi ta apelonte, ndërsa dosja është në Apelin e Tiranës tani. /shqiptarja.com/