Në këto ditë të vështira për shumë mjekë, infermierë dhe stafin mjekësor FSHF në mënyrë simbolike ka dhuruar bluza të Kombëtares shqiptare me emrat e tyre si dhe një top për fëmijët e tyre. Mesazhi është i qartë mbështetje në këtë periudhë të vështirë, duke e cilësuar luftën me COVID-19 një ‘ndeshje’ të vështirë.
Federata Shqiptare e Futbollit vlerëson maksimalisht Kombëtaren tonë, mjekët, infermierët, sanitarët dhe shoferët e ambulancave të spitaleve Covid-1 dhe Covid-2, që në këtë kohë të pazakonshme po përballen me virusin vdekjeprurës Covid-19. Për të gjithë “lojtarët tanë”, FSHF vendosi të dhurojë në shenjë vlerësimi dhe mbështetjeje nga një fanellë dhe një top për fëmijët e tyre që të kalojnë me aktivitet sportiv këtë kohë të vështirë, thuhet në publikimin e bërë në rrjetet sociale nga FSHF.
Sekretari Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, zhvilloi një takim me doktorët Pëllumb Pipero dhe Arjan Harxhi, duke i shprehur të gjithë vlerësimin e komunitetit të futbollit për guximin dhe punën e madhe që janë duke bërë këto javë në këtë “ndeshje” të vështirë. Doktorët Pipero dhe Harxhi falenderuan Federatën e Futbollit për dhuratat e bëra dhe mesazhin e dhënë me shpalljen e punonjësve të shëndetësisë Kombëtarja jonë. /e.s/