Arti shqiptar sot është në zi sepse një prej ikonave të kinematografisë, aktori Rikard Ljarja, ka ndërruar jetë në moshën 77-vjeçare pas luftës me një sëmundje të rëndë. Me rolet brilante përgjatë gjithë karrierës së tij, ai la gjurmë që do të ruhen si një thesar i vyer i kinematografisë shqiptare.
Në një lidhje në Skype për programin “Rudina”, në Tv Klan ishin dy miqtë e tij më të mirë, regjisori dhe aktori Mevlan Shanaj, së bashku me bashkëshorten e tij, shkrimtaren, poeten dhe skenaristen Natasha Lako.
Regjisori u shpreh se shikonte tek Rikardi njeriun model për ta imituar. Miqesia e tyre është 50-vjeçare dhe sipas tij, ajo çfarë e karakterizonte aktorin e madh ishte dashuria që i buronte nga shpirti.
Mevlan Shanaj: Që nga fillimi, unë shikoja tek Rikardi njeriun model për ta imituar, e di artistët gjithmonë gjejnë një model. Po imitimin nuk do ta bëja në talentin e tij, por do ta bëja në shpirtin e tij. Kini parasysh, e di kush është Rikardi tek filmi Deda është një episod shumë i thjeshtë, është një etyd, Rikardi me Elida Cangonjin rreth sobës, po thekin bukë. Nuk ka etyd më madhështor të marrëdhënieve, le të jesh i pasuri, le të jesh çudi e botës, atë ndjesi, atë marrëdhënie të ngrohtë që ta jep shpirti i syve të Rikardit, në atë marrëdhënie, ajo është dashuria më e madhe. Pra dashuria tek Rikardi buronte prej shpirtit, nuk ishte mjeshtëri e interpretuar dhe kjo ishte ajo që unë gjithmonë e kam pasur lakmi, zili, e kisha mik dhe e kam dashur deri në fund të jetës. Më pak se 24 orët e fundit, në të cilat ishte i rënduar dhe nuk pati dëshirë ta shihja në WhatsApp, ta shikoj si figurë. Kuptohet kam dhimbje të jashtëzakonshme për këtë njeri.