Drejtoresha e Shëndetësisë në Komunën e Lipjanit, Merita Bytyçi ka folur për nëntë rastet e reja me COVID-19 të paraqitura mbrëmë në këtë komunë. Ajo tha se pjesa dërrmuese e tyre janë raste kontakti nga një lagje e vetme. Bytyçi për RTV Dukagjinin thotë se rasti i parë ishte paraqitur në Janjevë ku më pas ishte karantinuar i tërë fshati gjë që kishte pasur sukses pasi askush më nuk u infektua në Lipjan.
“Rasti i dytë për fat të mirë është identifikuar në Qendrën Studentore dhe i njëjti është karantinuar pa u futur në Lipjan. Rasti i tretë është rasti nga i cili edhe kanë rrjedhur të nëntë rastet e reja”.
Drejtoresha e Shëndetësisë në Komunën e Lipjanit thotë se personi “tre” i infektuar në Lipjan ishte paraqitur vet në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Lipjan për testim pasi kishte takuar persona që kanë rezultuar pozitiv me koronavirus në aeroport.
Ajo thotë se pasi peroni në fjalë kishte rezultuar pozitiv me COVID-19, ishin infektuar edhe gruaja dhe dy fëmijët e tij e më pas edhe rastet e tjera. Bytyçi thotë se tashmë lagjja në Lipjan ku janë të paraqitura edhe nëntë rastet e reja është karantinuar edhe me rekomandim të Institutit Kombëtarë të Shëndetit Publik të Kosovës.