Një grua shtatzënë nga Gjakova e infektuar me koronavirus, e cila ndodhej në gjendje të rënduar në Klinikën Infektive ndërroi jetë mëngjesin e së martës. Lajmin e ka konfirmuar Ferdinand Kolaj, drejtor i Shëndetësisë në Komunën e Gjakovës.
40-vjeçarja kishte pasur probleme neurologjike dhe ishte në javën e 28-të të shtatzënisë, ndërsa mediat në Kosovë raportojnë se pacientja e kishte humbur femijën gjatë ditës së djeshme.
Ajo la pas dy fëmijë të tjerë, ndërsa bashkëshorti i saj ka publikuar një mesazh të ndjerë për të në rrjetet sociale.
Burri shkroi:
“Aq shumë e deshtë jetën asqë luftove deri në momentin e fundit për jetën tande bashkë me jetën e foshnjës në kraharorin tand. Tani me foshnjën tande në parajsë gëzoni lumturinë e jetës së amshuar. Ishe një grua, nënë, bijë, motër, nuse shumë e qetë, plotë lumturi, dashuri, kujdes për të tjerët. Tani ju, nanë e foshnje, jeni engjëj në qiell, të cilët luteni për ne e na mbroni. Mos na harro”.
Janë këto fjalët e dhimbshme që bashkëshorti i së ndjerës i ka shkruar në kujtim të gruas së tij.
Ky është rasti i 13-të fatal nga koronavirusi në këtë klinikë dhe i 16-i në nivel kombëtar. /e.s/