Policia e Vlorës ka bërë të mundur arrestimin e Gladiol Metushaj, 43 vjeç, i dënuar me 12 vite burg nga Gjykata e Vlorës nën akuzën e Prodhimit dhe shitja e narkotikëve e kryer në bashkëpunim.
Sipas policisë Metushaj është autori i 5-të i ngjarjes së ndodhur në 19 mars 2015 në lagjen “4 heronjtë” në Vlorë ku u kap një sasi lënde narkotike prej 30 kg e llojit çokollatë. Në këtë ngjarje u arrestuar 4 persona të tjerë.
Njoftimi i policisë:
Vihet në pranga i kërkuari, i dënuar me 12 vite burg, për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.
Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, krahas angazhimit maskimal për monitorimin e zbatimit të masave, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19, vijojnë punën intensive për goditjen e paligjshmërisë, kapjen e personave që qarkullojnë me armë dhe personave në kërkim.
Seksioni i Hetimit të Krimeve pranë Komisariatit të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me strukturat e narkotikëve pranë DVP Vlorë, mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative, ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Kanina”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit të shpallur në kërkim kombëtar, Gladiol Metushaj, 43 vjeç, banues në Sarandë.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim kombëtar, pasi Gjykata e Apelit Vlorë, me vendim të formës së prerë, e ka dënuar me 12 vite burg, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.
43-vjeçari është autori i 5-të i ngjarjes së ndodhur më 19 mars të vitit 2015, në lagjen “4 Heronjtë”, Vlorë, ku u kap një sasi lënde narkotike 30 kg, e llojit çokollatë, ngjarje për të cilën u kapën dhe arrestuan në flagrancë dhe 4 shtetas të tjerë.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme. /e.s/