Operacioni humanitar në kuadër të situatës së krijuar prej COVID-19 ka vijuar me shpërndarjen e 1 132 pakove ushqimore pranë familjeve në nevojë në qarkun e Elbasanit.
Prefekti i qarkut të Elbasanit, Maksim Malaj informoi për ATSH-në se “në rang qarku kemi shpërndarë pako ushqimore pranë 1132 familjeve. Kemi dërguar pranë banesave të 7 pensionistëve ilaçe të rimbursueshme, si dhe kemi ndihmuar 38 familje me produkte të ndryshme jo ushqimore pranë 38 familjeve. Po ashtu, kemi asistuar 64 familje për blerjen e produkteve jo ushqimore si dhe 2 familje për blerjen e produkteve jo ushqimore me pagesë, duke mos lejuar që banorët të dalin prej banesave të tyre, nga rreziku i prekjes nga armiku i padukshëm COVID’.
Malaj tha se të shtata bashkitë janë të fokusuara në dhënien e ndihmës për të gjitha familjet në nevojë, ndërsa garantoi se në këto ditë të vështira, të gjithë institucionet duke filluar që nga prefektura, janë në gatishmëri për çdo familje, pensionist apo të moshuar të vetmuar.
Ndërkaq, në 17 prill u shpërndanë 124 ndihma ushqimore, pranë 7 familjeve u dërguan ilaçe të rimbursueshme, pranë 16 familjeve iu ofruar asistencë për medikamente me pagesë, 73 familje me ndihma jo ushqimore, pranë 4 familjeve ndihma jo ushqimore kundrejt pagesës si dhe pranë 2 familjeve ndihma ushqimore me pagesë.