Pavarësisht se jemi në shtetrrethim me situatën e pandemisë, një çift nga Tirana nuk e ka shtyrë ditën e dasmës. Nusja doli me fustanin e bardhë nga shtëpia, dhe dhëndri e priti për ta marrë në shtëpi, në kohë rekord, me lejen e siguruar më parë nga policia.
Erioni dhe Anxhela kanë rrëfyer si u zhvillua dasma e tyre në një ditë shtetrrethimi, të dielën e 12 prillit, ku në rrugë nuk ka të drejtë të lëvizë askush veç policisë, personelit mjekësor e ushtrisë me autoblinda. Nusja u mor në kohë rekord vetëm në 60 minuta për shkak se aq kohë zgjaste leja, duke respektuar të gjitha rregullat e kërkuara, jo vetëm distancën, por edhe të pajisur si nusja, ashtu edhe dhëndri, me maska, doreza dhe dezinfektantë.
foto galeri foto galeri foto galeri foto galeri 1234PreviousNext
“Po, dita e dasmës sonë u zhvillua të dielën siç e kërkon tradita. Proceduam sipas rregullave që kishte bërë të ditura policia. Morëm leje tek Policia Rrugore për fashën orare 11.00-12.00 për lëvizjen e dy makinave me nga dy persona secila. Na u desh të planifikonim mirë çdo detaj sepse kishim në dispozicion vetëm 60 minuta kohë. Që kjo të bëhej e mundur brenda afatit tonë, aplikuam një javë më parë për leje, e cila na u aprovua. Gjatë kësaj kohe të limituar, dhëndri shkoi me makinë dhe e mori nusen me fustan të bardhë sipas traditës”, ka treguar çifti.
Pengu më i madh i tyre ishte pjesëmarrja e madhe e të ftuarve që kishin planifikuar. Por çdo gjë funksionoi si një dasmë normale, sigurisht duke respektuar distancën mes njëri-tjetrit. Gjatë rrugës nuk patën problem, madje një postobllok i respektoi me nderim ushtarak sipas dhëndrit. “Traditat që u respektuan ishte pritja e nuses me oriz dhe me karamele, këputja e kulaçit dhe tek dera e shtëpisë rituali i lyerjes së derës me mjaltë. Shaminë e beqarit nuk e dogja. Mbajtjen e dorezave dhe maskave e morëm me shumë sportivitet dhe kjo do jetë një kujtim i bukur për më vonë, kur t’u rikthehemi kujtimeve të kësaj dite”. Ndërkohë për muajin e mjaltit ende nuk kanë planifikuar diçka, pasi nusja është në pritje të ëmbël./Politiko.al