Në vigjilje të kremtimit të pashkëve Ortodokse, 100 vullnetarë të njësisë nr.10 në Tiranë kanë shpërndarë 200 pako ushqimore në ndihmë të pensionistëve dhe familjeve në nevojë.
Këtë të shtunë këtij rrjeti vullnetarësh i’u bashkua dhe deputeti i PS në njësinë nr.10, Fatmir Xhafaj. Gjatë shpërndarjes së pakove në familjet në nevojë Xhafaj u bëri thirrje që të respektojnë masat e marra për të qëndruar në banesë, teksa siguroi se për çdo nevojë, nuk do t’u mungojë ndihma e institucioneve dhe e të rinjve vullnetarë.
Që prej 30 marsit në kryeqytet është ngritur një rrjet vullnetarësh që asiston me kujdes social të moshuarit dhe familjet në nevojë për shkak të situatës me Covid19.
Për të kryer këtë shërbim kujdesi social për rreth 250 familje të njësisë është ngritur rrjeti i vullnetarëve të Njësisë me rreth 100 vullnetarë të cilët kanë në kujdestari familje konkrete banorë të lagjes apo rrugicës ku banojnë.