Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka arsyetuar postimet e tij në Twitter përmes të cilave kishte përkrahur protestat në disa shtete kundër masave të kufizimit të lëvizjes.
Në nje deklarate te bere nje dite me pare ai tha se masat e vendosura nga Minesota, Miçigan dhe Virxhinia, janë mjaft të rënda, raporton BBC.
Në një postim më herët në Twitter, Trump kishte shkruar: “Çlirojeni Minesotën, Çlirojeni Miçigenin dhe pastaj Çlirojeni Virxhinian”.
Autoritetet shëndetësore thonë se këto masa janë tejet të nevojshme për parandalimin e përhapjes më të madhe të koronavirusit. Por, protestuesit thonë se këto masa janë duke i bërë dëm qytetarëve dhe ekonomisë.
Shtetet e Bashkuara kanë pasur rritjen më të madhe të viktimave brenda një dite, të enjten, duke shënuar 4,591 vdekje në 24 orë.
SHBA-ja ka numrin më të madh të rasteve dhe viktimave në botë, rreth 700,000 raste të konfirmuara dhe më shumë se 36,000 viktima, sipas John Hopkins.
Shtetet për të cilat ngriti zërin Trump janë të udhëhequra nga demokratët. Ndërkaq, Ohio dhe Utah, të udhëhequra nga republikanët, që kanë të vendosura masat e njëjta, nuk u përmendën nga ai.
Protestat pritet të rriten edhe në shtete të tjera në SHBA. Mbështetja e presidentit vjen një ditë pasi administrata e tij prezantoi udhëzimet e reja për rihapjen e ekonomive shtetërore.
Dhjetëra qytetarë të pakënaqur, kryesisht përkrahës të presidentit amerikan Donald Trump, janë mbledhur në Richmond të Virginia, ku në krye të këtij vendi është guvernatori Ralf Northman nga radhët e Demokratëve që po kritikohet për masat kufizuese.
Në shtetin e Michiganit, që udhëhiqet nga guvernatorja Gretchen Whitmer, e cila po konsiderohet si kandidate serioze për postin e nënkryetares në nominimin e Demokratëve, mijëra qytetarë kanë bllokuar trafikun në qytetin Lansing, derisa demonstruesit në Kentucky kanë ndërprerë konferencën për media të guvernatorit të demokratëve Andrew Bashire, duke brohoritur “duam të punojmë”.
Protesta të ngjashme janë mbajtur edhe në Utah, Karolinën e Veriut dhe Ohio, kurse janë paralajmëruar edhe në Oregon, Idaho dhe Teksas.
Deri më tani në SHBA janë shënuar 37 mijë viktima nga Covid-19 dhe janë infektuar 710 mijë persona.
g.kosovari