Nga Mero Baze
Ndryshimet e fundit në Kodin Penal, hapën debat mbi rrezikun që ato kanë për liritë njerëzore në kohë pandemie. Ndëshkimet e ashpra, të specifikuara në rastet kur një njeri i vetëdijshëm për mbartjen e sëmundjes kthehet në bombë vrasëse për të tjerët, edhe pse janë të ekzagjeruara, vlejnë për të parandaluar papërgjegjësinë.
Pandemia është një e keqe që shfaqet dy tre- herë në shekull dhe njerëzit duhet të mësohen të jenë në gjendje të jashtëzakonshme një ose dy herë në jetë, sa i bie të përballen me një pandemi.
Por ajo që u shmang në ndryshimet e fundit në Kodin Penal, ishte ndëshkimi i zyrtarëve publik që tolerojnë zbatimin e masave të rekomanduara nga shteti në atë periudhë.
Shembulli i Bashkisë së Shkodrës dhe kryetares së saj, është një ilustrim se si një zyrtare publike, jo vetëm që nuk bën detyrën, por i bën karshillëk masave zyrtare të shtetit në kohë pandemie.
Qeveria shkarkoi prefektin e Shkodrës, që e ka në varësi të saj, por nuk e kuptoj përse nuk shkarkoi edhe formalisht, pasi ajo e shkarkuar është, Voltana Ademin nga detyra.
Deri më sot ajo nuk ka asnjë deklaratë miratuese për zbatimin e masave të Qeverisë për pandeminë, por ka gjithnjë opsione politike . A thua se po i merr kush dorën asaj se si duhet të luftohet pandemia në Shkodër dhe në gjithë Shqipërinë.
Ndryshimet e fundit në Kodin Penal nuk u morën me përgjegjësinë e zyrtarëve. Argumentet që japin ligjvënësit në këtë rast, janë se në kohë të tilla, komandën qëndrore e ka Qeveria dhe çdo shkelës i ligjit do ndëshkohet.
Por problemi është se Voltana Ademi nuk e shkel ligjin si qytetare, por si zyrtare. Ajo ndoshta vetë rri në shtëpi, mban maskë, por qëndrimet e saj publike frymëzojnë thyerjen e ligjit dhe kjo është një çështje që duhet rregulluar me ligj.
Tani ne merremi me Voltanën, se vetëm ajo ka mbetur në zyrë, ngaqë ndodhi problemi me të zgjedhurin e ri në Shkodër. Por nëse do të kishim opozitë normale, që nuk do bojkotonte zgjedhjet, sot mund të kishim gati gjysmën e kryebashkiakëve të opozitës, dhe nëse do silleshin si Voltana, mund të hidhnin në erë Shqipërinë.
Në çdo pandemi tjetër me të cilën do të përballemi, nuk ka shanse të kemi më këtë situatë politike që të kemi vetëm një kryetare bashkie nga opozita. Këtë e kemi dhuratë nga Lulzim Basha. Do të kemi doemos për pak, më shumë se gjysmën dhe sjellja publike e tyre duhet rregulluar me ligj.
Shmangia në ndryshimet e fundit ligjore, ndoshta është bërë nga perceptimi i tanishëm, që nuk ka opozitë në bashkitë e tjera dhe Voltana duket thjesht si një kamikaze e çmendur.
Por statistikat thonë, se “e çmendura” e Shkdorës ka tashmë çdo ditë të sëmurë, sa gjithë Shqipëria. Fjala vjen 11 Shkodra, 12 gjithë Shqipëria. Kjo do të thotë që ajo e ka rritur peshën e sëmundjes në Shkodër, sikur të kishte fituar gjysmën e vendit, dhe e ka kthyer Shkodrën nga kryeqytet të PD, në kryeqytet të koronavirusit. Dhe mendoni, që është vetëm një kamikaze politike. Po të jenë 30?
Ndaj Kodi Penal duhet ta parashihte dhe përgjegjësinë e zyrtarëve publik në këtë rast.
Kjo klasë politike, ndoshta s’ka më shans të përballet me pandemi të tjera, sa të jetë në politikë, ndoshta dhe në jetë, por pasardhësit nuk do kenë luksin e Edi Ramës, që të kenë Parlamentin si makinetë për të miratuar çfarë duan.
Vetëm larg qoftë nëse përfundojmë në komunizëm apo fashizëm. Ndaj do të ishte mirë t’u linim një garanci për kamikazët politikë në Kodin Penal. Ta kishin dhe ata një mekanizëm stabiliteti në kohë pandemie.
I ke rene pikes, voltana eshte shembudhi se si zyrtaret nuk ndeshkohen,dhe ndeshkohet populli si gjithmone, 26 te vdekur ne gerdec,26 te vdekur ne pandemi