Nga Artur Ajazi
Gjithollogët, kanë dalë nga skutat, kanë nisur të japin “leksione” dhe “mendime” on-line, gjithkund, në radio, televizione, portale, madje po realizojnë edhe video nga banesat e tyre për ti shpërndarë si “intervista të rralla”. Gjithollogët, po na mësojnë nga dhomat e vilave të tyre, si “bëhet karantina, si bëhet trahanaja, buka e misrit”, dhe “si duhet të jetë një kryeministër në kohë krize” apo dhe “sa herë duhet të dalë kryeministri në media, përse nuk duhet të bërtasë” etj. Ata madje po na tregojnë edhe “si do të jetë bota nesër pas coronavirusit”.
Duket sikur u erdhi koha “gjithollogëve” atyre që dinë me saktësi “kur bien tërmetet, kur bien zjarret, kur bie shiu, bora, dhe kur vjen dhe ikën virusi”. Po t’i dëgjosh, mjafton të ndalesh tek momenti, kur ata insistojnë dhe nuk tërhiqen nga mendimi se “gjithçka është siç them unë, mos më kundërshtoni, ju jeni të pagdhendur, ju jeni katundarë”, dhe lloj-lloj formash të tjera imponuese, të cilat i shkojnë për shtat vetëm njeriut me “shpatulla të vogla”. Njerës të tillë nuk e mbajnë dot peshën e krizave të mëdha.
Ata tremben, ngujohen, mbulohen nga djersa e ligë, dridhen, dhe nisin dhe marrin vendime ekstreme për vehten. Duke mos mundur t’ja dalin me të vërtetën, ata zgjedhin rrugën e vetmisë, nga ku vendosin të shfaqen përmes zërit dhe figurës, dhe jo prezencës fizike.
Epidemia dhe vesi i gjithollogëve, ka përfshirë më së shumti politikën e mandatdjegurve, analistët e shpërfillur nga aktorët aktivë të realitetit sotëm, dhe tek-tuk ndonjë “artist” të fushave të tjera. Të lënë mënjanë, jo nga objektiviteti situatave të tilla emergjente, por nga keqdashja si ves biologjik i tyre, gjithollogët e ekraneve, partive dhe skenave pa spektatorë, kanë një veçori të njëjtë.
Kanë të gjithë pa përjashtim “shpatulla të vogla” për peshë të madhe. Edhe ata e dinë, se kriza të tilla duan këllqe, duan njerës kurajozë, duan “shpatullgjërë” që të dinë të mbajnë mbi supe të mirin dhe të keqin, të bardhin dhe të ziun, të pabesin dhe hipokritin, ndaj zgjedhin komunikimin on-line nga vilat.
Gjithollogët, në dukje “kryeneçër”, në realitet janë dele të përulura, që e vuajnë shumë kompleksin e inferioritetit.Po ti dëgjosh se si protestojnë për “masat drastike ndaj virusit”, dhe se si kërkojnë nga shqiptarët “të ngrihen për të drejtat e shkelura të njeriut nga kjo qeverisje”, bindesh jo vetëm për dritëshkurtësinë dhe shpatullngushtësinë e tyre, por edhe për mungesën elementare të formimit arsimor.
Gjithollogët tek ne, dhe kudo në botë, nuk mendojnë me kokën e tyre, nuk flasin me gjuhën e tyre, nuk ecin me këmbët e tyre, dhe nuk shijojnë me gjuhën e tyre. Ata janë thjesht qenie të atrofizuara, me memorje të programuar, dhe datë të paracaktuar skandence, ndaj përfshirja e tyre në diskutime dhe interpretime krizash, është fatale.