Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka sqaruar mënyrën sesi do të bëhet riatdhesimi i shqiptarëve që kanë ngelur nëpër vendet e ndryshme të botës.
Balluku tha se qytetarët që do të kthehen nga jashtë do të paguajnë 7 euro në ditë për ushqimin, ndërsa fjetjen do e paguajë shteti. Ministrja sqaroi gjithashtu se bileta e avionit ka kosto të ndryshme në varësi të vendit.
“Pas pak, sistemi online që do t’ju japë mundësinë për t’u riatdhesuar do të jetë gati për të aplikuar. Hyni në AirAlbania.com.al dhe më pas rubrikën “riatdhesime”, klikoni në linkun e hoteleve. Lexoni me kujdes formularin e kushteve të karantinimit. Pasi të klikoni pranoj, do të mund të zgjidhni dhomën tuaj.
Kosto ditore e qëndrimit tuaj në karantinë është vlerësuar 21 euro personi në ditë, nga të cilat 14 euro, janë akomodim dhe fjetje qe do të mbulohen nga Qeveria Shqiptare, ndërsa kosto ushqimore ditore prej 7 euro, do të mbulohet nga vetë personi.
Pasi të bëni pagesën elektronike prej 98 eurosh, sistemi do të lëshojë vërtetimin e rezervimit tuaj. Aty keni një Kod Unik që do t’ju ndihmojë për rezervimin e biletës së avionit. Këshillohuni me ambasadat. Air Albania nis fluturimet të shtunën në Romë, Milano, Bari, Frankfurt, Paris dhe Londër. Do vlerësojmë kërkesën për destinacione të tjera, por përpjekjet tona hasin vështirësi. Cmimi i biletës së avionit varion nga miljet e udhëtimit, por ju sigurojmë se Air Albania do të marrë vetëm një pjesë të vogël të kostove të udhëtimit. Udhëtimi nga Roma në Tiranë kushton 100 euro.” -tha Balluku.