Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç , do të qëndrojë të mërkurën në Srebrenicë. Në qytetin ku ka ndodhur masakra e 8,000 burrave dhe djemve myslimanë, në vitin 1995, Vuçiç do të ndjekë një konferencë ekonomike dhe do të bëjë homazhe te memoriali i viktimave të masakrës, transmeton REL. Kjo është vizita e parë e Vuçiçit në Srebrenicë qysh më 11 korrik, kur është shënuar përvjetori i 20-të i masakrës. Atëbotë, Vuçiç është detyruar të largohet pasi është sulmuar nga masa. Përgjegjëse për masakrën e Srebrenicës kanë qenë forcat serbe të Bosnjës. Drejtësia ndërkombëtare e ka cilësuar mizorinë si gjenocid.