Koronavirusi vret qelizat e fuqishme imunitare, të programuara për të qenë ato vrasëse të virusit.
Në këtë përfundim kanë arritur një ekip studiuesish nga Shanghai dhe Nju-Jorku. Gjetja e tyre përkon ma atë që mjekët kanë konstatuar te pacientët me Covid-19: virusi sulmon sistemin imunitar të njeriut dhe shkakton dëme të ngjashme me ato që gjenden tek pacientët me HIV.
Lu Lu, nga Universiteti Fudan në Shanghai, dhe Jang Shibo, nga New York Blood Center, e bashkuan virusin, i cili zyrtarisht njihet si Sars-CoV-2, me linjat qelizore të limfociteve T të rritura në laborator.
Limfocitet T, të njohura edhe si qelizat T, luajnë një rol kryesor në identifikimin dhe eliminimin e “pushtuesve” të huaj që hyjnë në trup.
Ato e bëjnë këtë duke kapur një qelizë të infektuar nga virusi, hapin një vrimë në membranën e saj dhe injektojnë kimikate toksike në qelizë. Këto kimikate më pas vrasin virusin dhe qelizën e infektuar dhe i copëtojnë ato.
Por, për habinë e shkencëtarëve, qeliza T u bë pre e koronavirusit në eksperimentin e tyre. Ata gjetën një strukturë unike në proteinën e zgjatimit të virusit që duket se kishte shkaktuar shkrirjen e membranës së virusit dhe asaj të qelizës me të rënë në kontakt.
Gjenet e virusit hyjnë më pas në qelizën T dhe e marrin nën kontroll, duke ia bërë të pamundur misionin e saj, pra mbrojtjen e njeriut.
Studiuesit bënë të njëjtin eksperiment me SARS-in, një tjetër koronavirus, dhe zbuluan se ai nuk kishte aftësinë të infektonte qelizat T.
Shkencëtarët dyshojnë se arsyeja ishte mungesa e një funksioni të bashkimit të membranës. Sars, i cili u shkaktoi vdekjen qindra njerëzve në një shpërthim të vitit 2003, mund të infektojë vetëm qelizat që mbajnë një proteinë specifike të receptorit të njohur si ACE2, dhe kjo proteinë ka një prani jashtëzakonisht të ulët në qelizat T.
Hulumtime të mëtejshme mbi infeksionin koronavirus në qelizat primare T do të sjellin “ide të reja rreth mekanizmave patogjenë dhe ndërhyrjeve terapeutike,” thonë studiuesit në një punim të botuar në revistën “Cellular & Molecular Immunology”.
Një mjek, i cili punon në një spital publik dhe trajton pacientët Covid-19 në Pekin, tha se zbulimi është një provë e shtuar për shqetësimin në rritje në qarqet mjekësore se koronavirusi ndonjëherë mund të sillet si disa nga viruset më të këqija që sulmojnë direkt sistemin imunitar njerëzor.
Në shkurt, Chen Yongëen dhe kolegët e tij në Institutin e Imunologjisë PLA përpiluan një raport klinik, me anë të të cilit paralajmëruan se numri i qelizave T mund të binte ndjeshëm te pacientët Covid-19, veçanërisht kur ata ishin të moshuar ose kërkonin trajtim në njësitë e kujdesit intensiv. Sa më i ulët të jetë numri i qelizave T, aq më i lartë është rreziku i vdekjes.
Ky konsatim u konfirmua më vonë nga autopsitë që iu bënë më shumë se 20 pacientëve, sistemi imunitar i të cilëve ishte shkatërruar pothuajse plotësisht.
Mjekët vunë re se te kufomat kishte një dëmtim të organeve të brendshme të ngjashme me atë që do të bënin Sars dhe Aids të kombinuar së bashku.
Geni që qëndron pas funksionit të bashkimit në Sars-CoV-2 nuk u gjet në koronaviruse të tjera tek njerëzit apo kafshët.
Por disa viruse vdekjeprurëse njerëzore si Aids dhe Ebola kanë sekuenca të ngjashme, çka ka nxitur spekulimet se koronavirusi Covid-19 mund të jetë përhapur pa u vënë re për një kohë të gjatë përpara se të shkaktonte këtë pandemi.
Por ka një ndryshim të madh midis Sars-CoV-2 dhe HIV, sipas studimit të ri.
HIV mund të shumëfishohet në qelizat T dhe t’i kthejë ato në fabrika për të gjeneruar më shumë kopje që do të infektojnë qelizat e tjera.
Por Lu dhe Jiang nuk kanë vënë re ndonjë rritje të koronavirusit pasi ai hyn në qelizat T, çka lë të kuptojmë se virusi dhe qelizat T mund të vdesin njëkohësisht.
Studimi ngre disa pyetje të reja. Për shembull, koronavirusi mund të jetë i pranishëm për javë me radhë tek disa pacientë pa shkaktuar ndonjë simptomë. Mënyra e ndërveprimit me qelizat T në këta pacientë mbetet e paqartë.
Disa pacientë me sëmundje kritike kanë përjetuar edhe probleme të citokinës, ku sistemi imunitar reagon në mënyrë të tepruar dhe sulmon qelizat e shëndetshme.
Por pse dhe si e shkakton këtë koronavirusi, është diçka për të cilën për momentin shumë pak dihet. / SCMP / Përgatiti: Gazmira Sokoli /