Pandemia e COVID-19 po përhapet në mbarë botën dhe Kina po përgatitet për një valë të dytë infeksionesh. Drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, u tha udhëheqësve të G20 se “pandemia është duke u përshpejtuar me një normë eksponenciale”, shkruan Forumi Ekonomik Global.
Bruce Aylward, këshilltari i lartë i drejtorit të përgjithshëm të OBSH-së, thotë se qeveritë duhet të mbajnë popullsinë e tyre nën izolim dhe ndërkohë të testojnë çdo rast të dyshuar dhe të trajtojnë dhe izolojnë personat që rezultojnë pozitivë. Më poshtë është një transkript i intervistës me Bruce Aylward:
Shumë njerëz që po e lexojnë këtë bisedë, janë në një formë izolimi dhe duan të dinë për sa kohë do të zgjasë?
Ndoshta treguesi më i mirë që mund të na tregojë se sa kohë mund të zgjasë kjo gjendje, vjen nga Kina, sepse ai është i vetmi vend që është përballur me një shpërthim të menjëhershëm të COVID-19 dhe e ka mposhtur.
Dhe nëse vërejmë shembullin e Kinës, nga 31 provincat, të gjitha u prekën në një pikë të caktuar dhe Wuhan, përjetoi periudhën më të rëndë dhe të vështirë, dhe është ende në izolim. Do të kenë kaluar gati 10 javë pasi atje të jetë hequr izolimi – muaji i shkurtit, marsit dhe pjesa më e madhe e prillit.
Megjithatë, shumë provinca të tjera kineze kanë qenë në gjendje ta menaxhojnë këtë krizë për një periudhë karantinimi më të shkurtër, që varion nga një deri në dy muaj. Varet nga konteksti se sa mirë funksionojnë masat e kontrollit dhe deri në ç’pikë e ndalin përhapjen e virusit. Pa dyshim që në përgjithësi për menaxhimin e situatës janë të nevojshme më shumë se disa javë.
Rreziku që na shqetëson më tepër të gjithëve është një valë e dytë. Njerëzit vazhdojnë të përmendin pandeminë e gripit spanjoll të një shekulli më parë.
Ekzistojnë dy skenarë të mundshëm. Nëpërmjet masave të izolimit dhe karantinimit në vendet e punës dhe institucionet arsimore, shtetet e ndryshme kanë ngadalësuar ritmin e përhapjes së koronavirusit. Por ato nuk e kanë ndërprerë zinxhirin e transmetimit të sëmundjes. Kjo kërkon zbulimin e çdo rasti, testimin e çdo të dyshuari, konfirmimin, izolimin e këtyre rasteve të dyshuara dhe karantinimin e të tjerëve. Dhe duhen zbatuar me të vërtetë të gjitha masat e ndërprerjes së zinxhirit të transmetimit, si dhe izolimet dhe karantinimet, në mënyrë që të arrihet të ndryshohet gjendja.
Kur unë jap një afat optimist, nënkuptohet realizimi i gjithë këtyre masave. Tani, shumica e vendeve kanë vështirësi edhe në zbatimin e masave të mëdha, vetëm për të trajtuar pacientët në gjendje më të rëndë. Dhe pikërisht kjo më shqetëson në Perëndim, që mund të duhet pak më tepër kohë derisa të vihen në vijë të drejtë masat. Dua të tregohem i kujdesshëm, sepse kemi të bëjmë me një proces biologjik që po ndodh në kontekstin e ndryshimeve të stinëve dhe faktorë të tjerë që e bëjnë këtë situatë të paparashikueshme. Prioriteti kryesor është të përpiqemi të shpëtojmë sa më shumë jetë. Kjo kërkon trajnimin e njerëzve. Në të njëjtën kohë do të thotë të përpiqesh të ngadalësosh përhapjen e virusit.
Për sa i përket testimit, duket se ka interpretime të ndryshme në të gjithë botën se çfarë duhet të bëhet. Çfarë këshillon Organizata Botërore e Shëndetësisë për testimin? Duhen testuar sa më shumë persona të jetë e mundur? Cili është rekomandimi?
Kjo është një pyetje me vend, sepse edhe rekomandimeve tona u bëhen shumë interpretime. Le ta themi shkoqur. Në një situatë të tillë, gjithmonë duhen testuar rastet e dyshuara. Nuk kanë pse testohen të gjithë sepse, pikë së pari, do të harxhoheshin shumë burime pasi një numër i madh njerëzish nuk do të infektohen. Nga ana tjetër, kjo do t’u jepte shumë njerëzve një ndjesi të rreme sigurie. Ata do të mendojnë, ‘Oh, testi doli negativ. Kjo do të thotë që jam i sigurt”. Dhe çdo test i tillë duhet bërë në kontekstin e rrezikut.
Nëse testoni një grup të tërë njerëzish që nuk janë të sigurt, testi do t’ju tregojë, zakonisht, që ata nuk janë të sigurt, por atëherë mund të keni pozitivë falsë, negativë falsë, të gjitha llojet e problemeve. Pra, ajo që duhet bërë, është të testohen rastet e dyshuara, jo vetëm për arsyen e rezultateve, por edhe për të menaxhuar mirë burimet e disponueshme.
Rekomandimi ynë natyrisht është: testoni, testoni, testoni. Por rastet e dyshuara. Unë gjithmonë them si shembull një histori të vjetër, të cilën familjes sime, në fakt, i ka ardhur në majë të hundës duke e dëgjuar: “Një herë pyetën një hajdut të famshëm bankash të quajtur Uilli, ‘Pse vidhni pikërisht bankat?’ Dhe ai përgjigjet ‘Sepse aty ndodhen paratë’. Dhe njëlloj, pse i testojmë rastet e dyshuara? Sepse aty ndodhet shumica e virusit COVID-19. Pra, duhet ndjekur kjo procedurë, sepse nëse do të testonim këdo tjetër, do të kishim shumë probleme të tjera.
Dhe nëse nuk testojmë në mënyrën siç sugjeroni ju, kjo do të rriste rrezikun e një vale të dytë?
Epo, njerëzit kanë marrë këshilla që nëse nuk ndihen mirë ose mendojnë se mund të jenë prekur nga virusi, të qëndrojnë në shtëpi derisa të ndihen më mirë. E vërteta është se mund ta kenë virusin. Nëse qëndrojnë në shtëpi dhe nuk janë të sigurt se janë prekur, nuk do të marrin masat e nevojshme për të mos infektuar pjesën tjetër të familjes, nëse jetojnë me njerëz.
Por problemi më i madh është se brenda dy, tre, katër ose pesë ditëve, ata do të ndihen shumë më mirë dhe do të mendojnë, “Kam dëgjuar se COVID-19 është një sëmundje e tmerrshme. Kështu që, duhet të kem pasur thjesht ndonjë ftohje”. Dhe do të vazhdojnë të enden në shoqëri, duke shkuar nëpër supermarkete apo vende të tjera. Dhe do të infektojnë njerëz të tjerë, sepse edhe nëse ndiheni më mirë, mund të jeni infektues deri në 14 ditë dhe ndoshta edhe më gjatë, pasi ta keni marrë veten nga sëmundja. Pra, për këtë arsye, dëshirojmë që njerëzit ta njohin statusin e tyre sepse ai thjesht i ndihmon të jenë qytetarë më të përgjegjshëm dhe të kujdesen për veten dhe familjet e tyre.
Pamë se shkalla e vdekjeve në Spanjë, pas asaj në Itali, kapërceu atë të Kinës. A ka ndonjë mënyrë për të na shpjeguar pse këto dy shtete po e kalojnë kaq rëndë? Apo kjo është rrjedha e zakonshme dhe këtë rrugë do të ndjekin edhe vende të tjera brenda pak javësh?
Ekziston një ndërthurje faktorësh. Kur shikojmë një vend si Italia apo Spanja dhe mendojmë, “pse u goditën kaq keq?”, një pjesë e saj është vetëm e përkohshme. Këto vende u goditën më herët se disa të tjera. Pastaj disa nga nivelet e larta të vdekjeve që po shohim, mund të shoqërohen me faktorë të shumtë. E dëgjojmë këtë në lajme gjatë gjithë kohës.
Italia është popullata e dytë më e vjetër në botë pas Japonisë. Mund të ketë të bëjë gjithashtu me faktin se po shohim kryesisht rastet e rënda në spitale dhe nuk po testohen rastet me simptoma të lehta. Pra, kemi të bëjmë me një shkallë të lartë vdekjesh, e cila është false dhe ka edhe faktorë të tjerë që mund të jenë në lojë.
U kujtoj gjithmonë njerëzve se gjithçka po ndodh në një sfond procesesh biologjike në popullata me moshë madhore, që nuk i kuptojmë plotësisht. Ne e kemi njohur këtë sëmundje vetëm për 15 javë. Edhe për sëmundjet që i kemi njohur me dekada të tëra, nuk dimë ende gjithçka, për shembull pse manifestohen në mënyra të ndryshme dhe në popullsi të ndryshme. Ajo që kemi mësuar është se ky virus është i prirë të shkaktojë sëmundje të rënda, përçarje shoqërore, përhapje masive dhe dëme ekonomike në çdo mjedis. E kemi vënë re këtë dukuri në Lindjen e Mesme, në Azi, në Europë. Dhe mesazhi që na tregon është: jini të përgatitur, jini të gatshëm, merrni çdo hap të mundshëm për t’u përpjekur të parandaloni shpërthimin e përhapjeve që po shohim në vende si Spanja dhe Italia.
Ju keni punuar në përhapjet e sëmundjeve infektive në të gjithë botën, përfshirë Ebolën. Çfarë ndryshon në lidhje me COVID-19 nga të gjitha këto sëmundje të tjera që njohim?
Gjatë 20-30 viteve të fundit, kam punuar në përhapjet e sëmundjeve infektive në shkallë të gjerë, si dhe shumë nga kolegët e mi. Ne kemi studiuar përhapjen e Ebolës, të poliomielitit, fruthit, etheve të verdha dhe përhapjen e madhe të Zikës që ndodhi vetëm dy vjet më parë. Dhe kur shikojmë përhapjen e COVID-19, unë dhe kolegët e mi vëmë re se kanë mjaft të përbashkëta. Zika, për shembull, ishte pothuajse një pandemi. U përhap. Ai virus mund të gjendet pothuajse në të gjithë botën, por preku një popullatë në veçanti dhe goditi një zonë të botës shumë më tepër se zonat e tjera.
Kemi parë edhe grip pandemik, por me një shkallë vdekshmërie shumë më të ulët. Kemi vënë re sëmundje me vdekshmëri të lartë si Ebola, për shembull, por me përhapje më të vogël. Virusi i tanishëm është i ndryshëm, sepse ka përhapjen e gjerë gjeografike të një pandemie së bashku me shkallën e lartë të vdekshmërisë. Dhe për më tepër, është një patogjen i frymëmarrjes, që do të thotë se përhapet shumë më shpejt.
Pra, bashkon shumë elemente të rrezikshme të sëmundjeve që përmenda më lart, të cilat kryesisht përhapeshin në zona dhe popullata të caktuara. Kjo sëmundje prek popullsinë globale, të gjitha grupmoshat. Disa janë prekur më keq. Ky është një kombinim i rrezikshëm i shumë prej veçorive më të këqija që kemi parë në viruset e tjera.
Nëse do ta thjeshtëzonim së tepërmi, COVID-19 është thjesht shumë më infektiv? Është më i lehtë për t’u transmetuar?
Ekzistojnë sëmundje të tjera që janë edhe më infektuese ose që përhapen më shpejt. Për shembull, njerëzit gjithmonë citojnë kuotën e numrit riprodhues dhe thonë: “Uau, COVID-19 ka një numër riprodhues prej 2.5”. Por fruthi ka një numër riprodhues mbi 10. Mund të përhapet me shpejtësi më të madhe. Gripi gjithashtu mund të përhapet më shpejt. Ka një interval serial shumë më të shkurtër se ky. Por është pikërisht kombinimi që e bën këtë virus kaq të vështirë.
Për të ardhmen, a ka Organizata Botërore e Shëndetësisë disa arritje që prisni të realizoni? Cilat janë gjërat që keni frikë se mund të ndodhin? Dhe cilat janë arritjet pozitive?
Para së gjithash, nuk duhet pritur për arritje pozitive. Duhet nxitur për realizimin e tyre. Duhet nxitur shumë. Ne po shikojmë se sa vende në botë mund të gjejnë rastet e tyre të dyshuara dhe t’i testojnë ato brenda 48 orëve që nga fillimi i simptomave. Sepse kur e rrit shumë këtë numër, mund të kuptohen përmasat e situatës. Sa vende mund të izolojnë në mënyrë efektive rastet e tyre brenda 24 orëve? Sepse kur e realizon këtë, po e largon virusin jashtë komunitetit. Nuk po infekton njerëz të tjerë dhe po mbahet nën kontroll. Dhe në mënyrë të ngjashme, ne shohim normat e karantinës, etj. Pra, ekzistojnë një sërë treguesish që na tregojnë nëse një vend po i merr masat e nevojshme për ta ngadalësuar virusin.
Gjërat e tjera që shohim janë se sa funksionojnë masat e shpëtimit të jetës? Kjo përfshin vëzhgimin e rasteve të vdekjeve në grupmosha dhe nëngrupe të ndryshme. Por më e rëndësishmja është të studiohet prirja e epidemisë. A është duke u ngadalësuar niveli i rasteve të reja dhe a është ndalur me të vërtetë përhapja e virusit? Por kjo mund të ndodhë për shkak të një numri faktorësh.
Disa njerëz i kushtojnë rëndësi vetëm ngritjes së kurbës. Ajo që ka rëndësi është kombinimi i ndryshimit të kurbës me masat e përgjigjes. Prandaj kur isha në Kinë dhe mbajta një konferencë, në fund të saj, asnjëherë nuk tregoja vetëm grafikun e kurbës. Por thoja, “Këtu është kurba dhe këto janë të gjitha masat që janë realizuar për ta ndryshuar atë”. Dhe kjo është ajo që duhet të shohim: si duket kurba? Cilat janë masat e mëdha që po zbatohen? A po zbatohen ato siç duhet? Sepse kjo do të na tregojë mbase në dy ose tre javë nëse kjo kurbë do të sheshohet.
Dhe kur kurba të jetë sheshuar, duhet të siguroheni që të jetë për arsyet e duhura dhe jo vetëm sepse janë ulur testimet ose vëzhgimet. Pra, është një kombinim: çfarë po ndodh me kurbën dhe masat e reagimit. Nëse shohim vetëm njërën apo tjetrën, nuk krijojmë dot një ide të plotë të situatës.
Pra këto janë pritshmëritë për javët në vazhdim…
Do të jemi duke vëzhguar ecurinë e kurbës dhe do të nxisim për zbatimin e masave. Kjo është pjesa që mund të kontrollojmë. Kjo është shumë e rëndësishme për COVID-19: shkuam në Kinë për të pyetur për këtë sëmundje. Kishte shumë gjëra që nuk i dinim. E dinim që virusi ishte një patogjen i frymëmarrjes. E dinim se nuk kishim një vaksinë. Kjo zakonisht do të thotë se duhet përpjekur të shpëtohen sa më shumë jetë të jetë e mundur sepse virusi do të jetë gjithmonë i pranishëm.
Dhe për habinë tonë, mësuam se identifikimi i rasteve sipas mënyrës së vjetër, izolimi dhe karantina mund të ngadalësojnë vërtet një sëmundje të organeve të frymëmarrjes. Kështu që, do t’i rikthehem asaj që thashë në fillim, sepse vendet tani janë duke marrë masa të jashtëzakonshme për izolime, ngadalësime dhe bllokime. Por nëse nuk marrin edhe masat e tjera, kur të heqin masat e mëdha, sëmundja mund të rinisë sërish. Dhe ne duam të sigurohemi që kur të hiqen masat, virusi të mos ripërhapet.
Nëse sëmuresh me COVID-19 dhe më pas shërohesh, a fiton imunitet?
Ndoshta. Nuk e dimë 100%, por mbështetur në ato që njohim për koronaviruset, ka më tepër gjasa që trupi të ketë fituar imunitet kundër sëmundjes. Ende nuk kemi marrë testet për ta vërtetuar. Pra, do të duhet pak kohë, por pritshmëria është që po.
Për sa kohë mbijeton virusi në sipërfaqe? Ne jemi duke blerë gjëra, duke i sjellë ato në shtëpitë tona. Sa duhet të shqetësohemi se mos mbartin virusin?
Në shumicën e rasteve, virusi mbijeton për një kohë shumë të shkurtër në sipërfaqe. Mos harroni, viruset mund të mbijetojnë vetëm në qelizat njerëzore ose në qelizat e gjalla të një kafshe. Sapo del jashtë, virusi nis të vdesë, sepse nuk mund të shumohet më. Pra, sasia e virusit bie shumë, shumë shpejt. Brenda disa orësh, shkon në nivele të ulëta. Në jetën tuaj të përditshme, nuk është problem.
Megjithatë, nëse jetoni me një person të prekur ose bini në kontakt me një të sëmurë, ata e përhapin virusin rregullisht. Pra, gjendja ndryshon nëse kemi të bëjmë me një person të infektuar. Dhe në këtë situatë, ju duhet të merrni masa të jashtëzakonshme për t’u siguruar që sipërfaqet të jenë të gjitha të pastra. Kjo është një çështje tjetër. Si në spitalet me pacientë të sëmurë.
Virusi mund të merret nëpërmjet ajrit. A është e sigurt dalja jashtë? Qoftë për të shëtitur, duke respektuar distancat, ose për vrap?
Jeni absolutisht të sigurt për sa kohë që ruani distancën e duhur. Sepse mbani mend: ky virus është një patogjen i frymëmarrjes, por lëviz nëpërmjet piklave të vogla. Dhe këto pikla, bien shumë shpejt në tokë.
Ato nuk qëndrojnë pezull në ajër. Pra nëse unë kollitem, piklat do të udhëtojnë rreth një metër ose ndoshta pak më tej. Prandaj rregulli thotë se duhet mbajtur një deri në dy metra distancë me njëri-tjetrin. Por gjëja e rëndësishme është që nëse ruani këtë distancë, jeni të sigurt.
Ka disa situata në spitale, ku virusi mund të aerosolizohet. Dhe pikërisht për këtë shqetësohen njerëzit, se mos virusi mbartet në grimca shumë më të vogla që qëndrojnë në ajër më gjatë. Kjo është një situatë e pazakontë. Nuk është diçka për të cilën duhet të shqetësohemi në jetën e përditshme. Çelësi është të parandalojmë që virusi të hyjë mes nesh. Kështu ua shpjegoj njerëzve. Është thjesht një virus. Kërkon të kalojë nga një person te tjetri. Bëjuani të vështirë punën virusit. Ne mund ta mundim atë.