Shefi i misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për Shqipërinë (FMN), Jan Kees Martijn, ka dhënë një intervistë ekskluzive për A2, në një lidhje nga Uashingtoni.
Drejtoresha e Përgjithshme e FMN-së ka deklaruar se qeveritë e vendeve të prekura nga koronavirusi do t’u duhen më shumë se 8 trilionë dollarë që kanë dhënë deri më tani dhe që vlerësohet kjo sa 10% e GDP-së botërore. Shqipëria ka një paketë masash prej 1,4% të GDP-së. A e konsideroni të mjaftueshme për të mbajtur të ndezur motorët e ekonomisë?
Viti 2020 do të jetë një vit veçanërisht i vështirë, me një krizë humanitare në shkallë botërore. Parashikohet që të jetë vit i vështirë për të gjithë. Është gjithashtu e vërtetë që vendet në zhvillim kanë më pak hapësirë fiskale apo mjete në dispozicion për të mbështetur bizneset apo familjet sesa vendet e zhvilluara. Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme që politikat e hartuara të jenë të dizenjuara mirë dhe të targetojnë ata që janë më në nevojë, për të bërë ç’është e mundur brenda mundësive. Prandaj duhet edhe ndihma nga institucionet ndërkombëtare për të përballuar këtë situatë.
Cilat janë rekomandimet tuaja për masat që qeveria shqiptare duhet të ndërmarrë për të mbajtur në këmbë ekonominë në këtë periudhë?
Prioriteti kryesor është që të sigurohet që sektori i shëndetësisë të ketë të gjitha mjetet e nevojshme për të paguar stafin mjekësor dhe që njerëzit të mbrohen nga shpërndarja e virusit. E dyta është që të ndihmohen ata njerëz jetesa e të cilëve është ndikuar nga rënia ekonomike dhe shtrëngimet e imponuara për të luftuar pandeminë. Masat e ndërmarra nga qeveria shqiptare, në të dyja këto fronte, kanë qenë në kohën e duhur dhe të dizenjuara mirë.
Të mbash ndezur motorët është një aspekt i paketës së ndihmës, po përtej kësaj? Mjaftojnë këto buxhete për të rimëkëmbur ekonominë?
Nuk e dimë se sa do të zgjasë pandemia. Për momentin, parashikimi ynë është që në pjesën e dytë të vitit do të ketë një riaktivizim të ekonomisë. Për të nxitur kërkesën, vendet që kanë më shumë mundësi dhe më shumë hapësira fiskale duhet të bëjnë më shumë se ato vende që kanë më pak hapësira fiskale. FMN-ja qëndron e gatshme për ta ndihmuar Shqipërinë në procesin e rimëkëmbjes ekonomike.
A ka dhënë FMN-ja rekomandime për Shqipërinë në këtë periudhë? I kanë marrë parasysh qeveritarët tanë?
Gjatë kësaj kohe, kemi qenë në diskutim të vazhdueshëm me autoritetet. Edhe në të ardhmen jemi të gatshëm që të vazhdojmë dialogun dhe të japim ekspertizën tonë.
Komuniteti i biznesit ka bërë një listë kërkesash, mes tyre shtyrjen me 1 vit të pagesës së taksave. Një nismë që është ndërmarrë në një pjesë të vendeve të prekura nga koronavirusi. A është e mundshme kjo?
Është e kuptueshme që në këtë situatë, bizneset kanë vështirësi për të paguar taksat për arsye se i është ndërprerë aktiviteti. Janë marrë disa masa për shtyrjen e pagesës së taksave, sidomos për bizneset e vogla. Të tilla masa duhet të jenë të targetuara sepse është e pamundur të merren masa për të gjithë në të njëjtën kohë. Buxheti i qeverisë është i kufizuar dhe nëse nuk paguhen taksat, qeveria nuk do të kishte me çfarë të mbështeste ata që kanë më tepër nevojë.
Bordi Ekzekutiv i FMN-së ka miratuar 174 milionë euro si mbështetje emergjente për Shqipërinë për të përballuar pandeminë e Covid-19. A mund ta përballojë këtë krizë buxheti i shtetit? Nëse jo, çfarë duhet bërë?
Bordi i FMN-së ka miratuar dyfishimin e nivelit të aksesit për vendet të cilat duan të përfitojnë nga Instrumenti i Financimit të Shpejtë në kuadër të pandemisë. Vetëm dje, bordi ka miratuar mbështetje emergjente për Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut. Kjo ndihmë nuk shoqërohet nga kushtëzime, disbursimi i fondeve do të bëhet menjëherë.
A ka program FMN-ja që për qeveritë e vendeve në zhvillim të shtyjë kostot e shërbimit të borxhit? Po për Shqipërinë?
FMN-ja, së bashku me Bankën Botërore, kanë ndërmarrë një iniciativë për të pezulluar pagesat e shërbimit të borxhit për vendet më të varfëra. Megjithatë, që nga viti 2008, Shqipëria nuk klasifikohet më si vend i varfër, por si një vend me të ardhura mesatare. Për më tepër, borxhi i Shqipërisë është i qëndrueshëm. Përjashtuar këtë vit, ku për arsye të kuptueshme do të rritet, ne presim që borxhi i Shqipërisë të vijojë me trajektoren e vet rënëse dhe autoritetet shqiptare janë të angazhuara që kjo të ndodhë.
Sa mendonise do të jetë impakti i kësaj krize në ekonominë shqiptare, pasi qeveria është ende optimiste dhe i qëndron parashikimit prej 2%. Një parashikim tuajin për skenarin më të mirë dhe skenarin më të keq.
Sot ka një nivel të paprecedentë pasigurie dhe është vështirë që të bësh parashikime në këtë situatë. Për momentin, FMN-ja parashikon që në rreth 170 vende të botës aktiviteti ekonomik do të tkurret dhe të ardhurat për frymë do të bien. Shqipëria është një nga këto vende, për shkak edhe të lidhjeve shumë të forta të turizmit dhe tregtisë me vendet që janë prekur shumë nga koronavirusi, siç është Italia. Parashikojmë që ky vit do të ketë një rënie dhe kontraktim të aktivitetit ekonomik, e shoqëruar nga një rimëkëmbje në vitin 2021.
Një pjesë e ekspertëve argumentojnë se kjo krizë do të zgjasë deri në fund të këtij viti dhe rimëkëmbja e lehtë do të fillojë vitin e ardhshëm. FMN-ja vlerëson se koronavirusi mund të shkaktojë një krizë edhe më të thellë se ajo e Depresionit të Madh në vitet 1930. Ndërsa kryeministri Edi Rama ka deklaruar se do të zgjasë 3 vjet. Kur mendoni ju se do të nisë rimëkëmbja, pasi edhe biznesi duhet të bëjë planet e tij?
Covid-19 ka shkaktuar një ndërprerje të aktivitetit ekonomik në të gjithë botë dhe pritet që të çojë në një kontraktim dhe tkurrje të ekonomisë akoma më të rëndë sesa kriza financiare e vitit 2008. Shqipëria është e prekur për arsye se pandemia ka prekur partnerët e vet kryesorë. Në situatën aktuale është vështirë që të bësh skenarë të besueshëm, por sa më shumë të zgjasin kufizimet dhe shtrëngimet në Shqipëri dhe në partnerët e saj, aq më gjatë do të duhet që turizmi dhe eksporti të rekuperojnë. A2