“Cikli kulmor i këtij virusi do të jetë brenda disa javëve. Çdo shtet duhet ta ketë të qartë se virusi nuk pushon vetëm me një fluks maksimal. Kanë për të ardhur 3 valë të ngjashme me cunamin. E dyta dhe e treta do të jenë më të lehta. Pas valës së tretë, duhet të themi se e kemi izoluar virusin”.
Kështu u shpreh në “A2” Gani Zeka, mjek i sëmundjeve të brendshme, i cili prej vitesh punon në Poloni, ku është në vijën e parë të frontit.
“Ne bëjmë filtrimin e pacientëve. Është shumë e rëndësishme që pacientët nuk duhet të gënjejnë për simptomat që ata kanë.
Ka shumë raste që nuk janë në gjendje të kuptojnë rrezikun që paraqitet nga ky virus. Nuk e kuptojnë që virusi është vrasës. Ne përpiqemi të sqarojmë se respektimi i rregullave është kryesor”.
Zeka bëri thirrje që të mos ketë panik dhe frikë. “Populli nuk duhet të ketë panik, frikë, se mund t’i ndodhë diçka e papritur, nëse ata zbatojnë rregullat, ata nuk duhet të kenë frikë. Ata duhet të qëndrojnë në shtëpi”.
Së bashku me mjekë të tjerë shqiptarë në Evropë, Zeka është duke u ardhur në ndihmë shumë shqiptarëve me informacione online mbi koronavirusin, por jo vetëm.