Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku në një intervistë për Report Tv, tha se tenderi për aeroportin e Vlorës është pezulluar pa afat për shkak të situatës së krijuar nga COVID-19. Megjithatë ajo tha se prioritet i qeverisë dhe ministrisë është që tenderi të bëhet brenda këtij viti, pasi me kalimin e pandemisë aviacioni do të jetë sektori që do të pësojë bumin më të madh.
Edhe pse tani, humbja që ka pësuar aviacioni me pezullimin e fluturimeve të pasagjerëve arrin në 80% të sasisë së volumeve dhe operimeve. Por sipas saj humbjet e fitimeve janë 100% por nga ky dëm nuk preket buxheti i shtetit.
“Në rastin e aeroportit të Vlorës e kemi pezulluar pa afat. Ai tender duhej të kishte përfunduar në 12 mars, por për pak ditë nuk kemi arritur që të përmbushnim kushtet që kompanitë pjesëmarrëse të arrinin dhe të plotësonin dokumentacionin për shkak se në Itali, Gjermani dhe në shumë vende të tjera u pezulluan shumë nga aktivitetet financiare, bankare, bordet mbikëqyrëse dhe këshillimore që do të kishin vendimmarrje për pjesëmarrjen e kompanive në atë tender. Kështu që e kemi pezulluar pa afat brenda këtij viti ai tender patjetër do të bëhet pasi aeroporti i Vlorës është shumë i rëndësishëm për ne.
Pavarësisht se sot aviacioni ka marrë goditje të jashtëzakonshme, ndoshta sektori më i goditur. Aviacioni pothuajse ka një humbje 80 % të sasisë dhe volumeve të operimeve. Ka një ngritje të vogël të operimeve kargo për shkak të çmimit të ulët të karburantit dhe të mungesës së kërkesës së tregut për udhëtimet e pasagjerëve, por megjithatë aviacioni në momentin e parë kur kjo luftë do të përfundojë do jetë një nga fushat që do të pësojë bumin, për shkak edhe të gjithë kësaj mungese që po krijohet sot me lëvizjen e qytetarëve në mbarë botën”, tha ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku për Report Tv. /e.s/