Shërbimet e Policisë vijojnë kontrollet në të gjithë territorin, në zbatim të masave kufizuese të shpallura nga qeveria shqiptare, për vënien në kontroll të pasojave që sjellin përhapjen e COVID-19.
Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë evidentuar 29 drejtues mjetesh që kanë shkelur urdhrin e ndalim qarkullimit, të cilët janë ndëshkuar me heqje të lejes së drejtimit dhe bllokim mjeti, në zbatim të Aktit Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020 ”Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga virusi COVID-19″.
Janë proceduar penalisht 3 shtetas, 1 në Tiranë, për mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë; 1 në Korçë dhe 1 Gjirokastër, për drejtim mjeti në mënyrë të parregullt.
Në të gjithë vendin, gjatë 24 orëve të fundit, si rezultat i kontrolleve të ushtruara nga strukturat e Policisë dhe denoncimeve të ardhura nga qytetarët në adresat zyrtare të Policisë së Shtetit, në 112/129 dhe Komisariatin Dixhital, janë evidentuar dhe ndëshkuar me masë administrative 10.000 lekë, 262 shtetas, të cilët u konstatuan nga shërbimet e Policisë duke lëvizur në këmbë apo me biçikleta, pa ndonjë arsye apo emergjencë.
Në të gjithë vendin janë konstatuar 6 njësi tregtie që nuk kanë zbatuar orarin e mbylljes dhe ndaj administratorëve është marrë masa administrative, në bazë të nenit 3, pika 7 e Aktit Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020.
Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët që të respektojnë masat kufizuese, për të bërë të mundur parandalimin e përhapjes së COVID-19. /e.s/