Nga Ben Andoni
Nëse nuk do ishte pandemia dhe përballja e rëndë me Covid-19, mjekët pas gjykatësve e politikanëve do të vazhdonin të ishin më të anatemuarit ndër shqiptarë. Shembujt e shumtë të korrupsionit ndër bluzat e bardha, referimet e vazhdueshme publike e kishin bërë simbolikën e Bluzës së bardhë që të ishte në nivele të ulëta respekti. Të jemi konkretë: mes komunitetit të jo pak dallkaukëve, asnjëherë nuk janë përzierë një grup i mjekëve shqiptarë, që kanë treguar shumë me përkushtimin, profesionalizmin dhe etikën e lartë profesionale. Në javët e fundit, mjekët shqiptarë ashtu si kolegët e tyre në të gjithë botën, kanë treguar se Betimi i Hipokratit prevalon mbi çdo gjë në mbrojtje të jetës njerëzore. Dhe, realisht, media u ka shërbyer në kohët e fundit duke e ngritur me të drejtë deri në apoteozë figurën e mjekut, infermierit, punëtorit të shëndetësisë dhe deri sanitarit më të thjeshtë. Me plot të drejtë.
Krejt ndryshe ndodh me gjyqtarët. Para syve, mendjes dhe duarve të tyre ka kaluar në tre dekada rrënimi i shtetit shqiptar gjatë Demokracisë. Vetting-u, paçka problematikës së tij, ka nxjerrë nga sistemi një numër tejet të madh të njerëzve të Drejtësisë, që nuk e justifikonin pasurinë. Po a ka bërë ndonjë gjë kjo masë? A është skuqur pak, veçse kanë mbrojtur jo pak herë turpshëm njëri-tjetrin. Pothuaj asgjë. Deri në fund, ata që s’kanë ardhur para dyerve të Vetting-ut i kanë shkuar deri në fund prishjes së imazhit të gjyqtarit dhe njeriut të Drejtësisë shqiptare. Vendimet e tyre skandaloze, justifikimet bajate, mbushur me argumente ligjore akoma më të dobët kanë nxjerrë se kjo pjesë shoqërore në vend është e pareformueshme, qoftë edhe para katrahurës, që e ka dëmtuar vendin tonë pafund, ashtu si ka tjetërsuar me gjak të ftohtë prona dhe më keq akoma, ka marrë jetë. Studimet dhe kalkulimet e kronikës së zezë e tregojnë qartë të gjithë këtë.
Ndaj, me të drejtë, politika shqiptare, si një kërkesë të popullit tonë dhe mbi të gjitha imperativ të kohës solli në 2014 hartimin e Reformës në Drejtësi, një përpjekje titanike për transformimin rrënjësor të këtij sistemi, ku profesionalizmi i ulët (Vetting ka identifikuar jo pak raste syresh), futjet e vetë politikës e kanë çuar në nivele tejet të ulëta besimin ndaj Drejtësisë. Por, ndërsa koha kalon, strukturat e ndryshme të vendit përgjegjëse për të dhe në përpjekje për mbikëqyrjen e zbatimit të drejtë dhe efektiv të komponentëve kryesorë të kësaj reforme debatojnë fare kot, duke e vonuar pa fund. Dhe, jo për faj vetëm të saj, por edhe politikës e çfarëdo gjë tjetër. A do munden vallë gjyqtarët që mbetën në sistem t’i kthejnë imazhin profesionit të tyre duke i shërbyer vendit? Këtë askush nuk mund ta thotë? Mbase do të duhet një armik më i madh sesa Covid-19, që po e përballojnë me qytetari dhe përkushtim të lartë mjekët tanë. Veçse, gjyqtarët nuk kanë nevojë për armik. Sfida e tyre ishte reformimi i vendit, që jo pak herë e sabotuan shumë prej tyre, kurse tashmë, pas Covid-19 do të jetë kjo gjendje e Shqipërisë, për të cilin do rrekemi më kot t’i gjejmë fajtorë… (Javanews)