Mjeku pneumolog Arjan Mezini u shpreh se deri në momentin që pacienti merr përgjigjen e tamponit për të parë nëse është i infektuar me Covid-19 apo jo, duhet të qëndrojë në spital dhe jo në rrethin e familjes së tij. I ftuar në “Opinion”, Mezini u shpreh se shumë prej pacientëve dalin negatin në tamponin e parë pasi kur virusi shkon në mushkëri, identifikohet me 50%.
“Në spitalet rajonale, doja të bëja thirrje për penumonitë atipike. Në eksperiencën time si pneumolog do të thoja se pneumonitë atipike jashtë sezonit, janë shumë të pakta në 1 vit. Duhet rishikuar dhe duhet hequr, kjo metoda që derisa del tamponi, pacienti qëndron në rrethin ku është. Për pacientët me insufiçiencë respiratore koha punon kundër tyre. Kur pacienti ka arritur në pneumonitë bilaterale, virusi replikohet në mushkëri dhe ky është shkaku që në 40 -50 përqind pacientët dalin edhe negativë në tamponin e parë. Ne kishim raste edhe në spitalin tonë, kur pacientët në tamponin e parë dolën negativë, pastaj insituam në të dytin dhe të tretin dhe dolën pozitivë. Tani edhe në Europë, nëse ne kemi në skaner një pneumoni bilaterale dhe 2-3 indikatorë në gjak, sensitiviteti shkon 87% në krahasim me tamponin që shkon 50%”, tha Mezini.
Shqipëria prej më shumë se tre javësh është futur në një izolim total, për shkak të situatës së krijuar nga koronavirusi. Ndërkohë numri i të infektuarve ka shkuar në 377 persona dhe deri më tani janë shënuar 22 viktima.
Ministria e Shëndetësisë njoftoi sot se gjatë 24 orëve të fundit janë konfirmuar 16 raste të reja me COVID-19. Harta e rasteve të reja është zgjeruar sot në Tiranë, Shkodër dhe në Has. Deri më tani në Shkodër janë shënuar 6 raste të reja, mes tyre dhe një infermier që mund të ketë infektuar dhjetra persona të tjerë. /e.s/