Karantina e detyruar e qytetarëve si pasojë e situatës së krijuar globalisht nga përhapja e koronavirusit ka bërë që të ulet ndjeshëm krimi në Shqipëri.
Por për gazetarin Artan Hoxha, ai thekson se është ulur “krimi i rrugës”, si vjedhje dhe grabitjet, por bandat e trafikimit të lëndëve narkotike sipas tij kanë vijuar me aktivitetin tyre.
“Ka rënë numri i vjedhjeve, i grabitjeve, ka rënë numri i krimeve që kemi parë duke përfshirë vrasjet. Por kemi një natyrë tjetër krimi që nuk ka munguar. Nuk kanë munguar personat e arrestuar në, Tiranë, Durrës, Berat, ku janë kapur qytetarët që përfitonin edhe nga kjo situatë për të trafikuar lëndë narkotike, kanabis, por edhe kokainë. Kjo do të thotë s ky fenomen edhe në këtë situatë ku duket thuajse e pamundur ku mjetet nuk qarkullojnë, bota e krimit është përpjekur të vijojë aktivitetin.
Përdoruesit e lëndëve narkotike kanë po aq nevojë për këtë substancë sa kemi ne të tjetër për ushqim dhe ilaçe. Grupet kriminale kanë vazhduar të kryejnë aktivitetin e vet. Deri në javën e tretë çmimet në tregun e brendshëm kanë qenë të qëndrueshme dhe nuk kanë lëvizur. Kjo do të thotë që grupet kriminale në Shqipëri kanë pasur stok të kokainës dhe kanabisit dhe kjo ka bërë që çmimi të jetë i palëvizshëm.
Ndërsa me kalimin e javës së tretë çmimi ka lëvizur, kanë filluar të rriten që do të thotë se këto lëndë narkotike tashmë do të bëhen të vështira edhe për përdoruesit e tyre. Ndërkohë është vërejtur një fenomen tjetër, me grupet që ishin në fokusin tonë para se të ndodhte kjo situatë, pra kryesisht për grupet kriminale shqiptare që veprojnë në vende të ndryshme të BE apo deri në Amerikën Latine.
Kam mundur të kontaktoj gjatë këtyre javëve dhe më rezulton se grupet shqiptare në vendet e BE, në të cilat masat u morën pak më vonesë, pra në Belgjikë, Holandë, kanë vazhduar aktivitetin e tyre. Nuk ka qenë e vështirë për këto grupe të sigurojnë kokainën, e cila vazhdon të lëvizë dhe rruga kryesore e lëvizjes nga Amerika Latine drejt Evropës, janë mjetet detare. Ky aktivitet nuk është ndaluar deri tani dhe do të thotë që porositë e bëra para disa javësh dhe ngarkesat janë nisur sigurisht që kanë ardhur dhe janë duke ardhur drejt Evropës.
Nuk është problem të sigurosh lëndën narkotike, por është lëvizja dhe transporti i parave. Me bllokimin e qarkullimit, tashmë këto grupe e kanë të pamundur të qarkullojnë paranë. Është e vërtetë që në vende si Italia masat u morën të parët, kokaina është rritur me 12 apo 15 mijë euro në krahasim me ç’ishte para fillimit të Covid-19, por në vende të tjera për shkak të stokut çmimi ka qenë i pandryshueshëm. Gjatë dy javëve të fundit ka filluar të ketë një lëvizje të tillë që do e bëjë të vështirë për ta futur këtë lëndë narkotike do të jetë i vështirë”, shprehet Hoxha për ABC News.