Kryeministri Edi Rama raportoi se ka nisur shpërndarja e pagave të luftës për biznesin e vogël dhe ata që iu është bllokuar aktiviteti, për shkak të masave të marra kundër koronavirusit.
Në një komunikim live në “Facebook”, kryeministri tha se sot janë miratuar 9500 pagat e para të luftës, ndërsa kjo gjë do të vijojë.
“Dua të vë theksin tek fakti që sot janë miratuar 9500 pagat e para të luftës për bizneset e vogla që hyjnë në kategorinë që kanë mbyllur aktivitetin dhe nuk punojnë dot, dhe në fund të javës do të kalojnë të tjera, mbi 60 mijë paga lufte. Aplikimet bëhen në faqen online tek drejtoria e tatimeve, ku pas verifikimeve bëhen miratimet. Të gjitha kategoritë e tjera që kemi thënë do t’i fusim në kategoritë që do të përfitojnë nga zgjerimi i paketës, pas datës 15 prill”, tha Rama.
Më tej, kryeministri publikoi projeksionet e qeverisë, duke thënë se nëse nuk do të ishin marrë masat urgjente kundër koronavirusit, sot në Shqipëri do të kishim mbi 3 mijë të infektuar dhe 286 viktima.
“Sot do të kishim 3008 të infektuar me projeksonin maksimal, në atë mesatar do të ishim 600, sot kemi më pak, jemi me 300 të infektuar dhe kjo është për shkak të masave që kemi marrë. Nëse nuk do të kishim marrë masa, sot do të kishim 286 të vdekur, por sot kemi vetëm 21 të vdekur. Ajo që është matja më adekuate është me 1 milion banorë. Kemi sot një bilanc më se inkurajues, edhe pse asnjë bilanc nuk mund të bëhet në mes të lufts. Nëse do të ecim kështu, ne do ta mbarojmë luftën me kryet lart”, theksoi kryeministri.
g.kosovari