Kujtim Gjuzi, deputeti i dalë nga lista “Basha” në zgjedhjet e vitit 2017, ka sqaruar fotografinë që postoi disa ditë më parë në rrjetet e tij sociale ku shfaqej me kushërinjtë e tij duke pjekur një qengj në hell.
Në momentin kur e gjithë popullata ka marrë urdhra të prerë për të ruajtur distancën sociale, Gjuzi u shfaq mes tyre duke i shkelur katërcipërisht këto rregulla.
Teksa ishte në një lidhje direkte në “E Diell” në Top Channel nga shtëpia e tij në fshatin Kameras, Fushë –Krujë, Gjuzi sqaroi:
“Nipi im kishte ditëlindjen atë ditë dhe ne u mblodhëm këtu për të festuar sepse kishte shpëtuar edhe nga një aksident i rëndë automobilistik” pohoi ai.
Por pse nuk i respektoi distancat deputeti shqiptar?
“Vetëm gripi nuk mund të vijë në Albanopolis” tha Gjuzi.
Gjuzi është kryetar i Partisë Konservatore, i cili hyri në parlament përmes listës së Partisë Demokratike për qarkun e Durrësit, ku ai ishte i përzgjedhuri i kryedemokratit Lulzim Basha nën sloganin “Republika e re”.