Nga Alfred Peza
Herë me humor dhe herë me seriozitet, gjithkush këto ditë ka nisur një lojë, e cila po e mban të gjallë përmes internetit, lidhjen tonë shpirtërore me njëri- tjetrin. Shakatë dhe rromuzet që bënim dikur nëpër tavolinat e punës, kafeneve a restoranteve mes miqsh, të afërmve dhe shokëve, tani po i vijojmë përmes celularëve me imazhet virtuale të memeve, videove dhe fotove.
Realiteti ynë është bërë përfundimisht aq virtual, sa edhe virtualiteti një realitet. Ndaj, në vorbullën e këtij transformimi që ka pësuar jeta jonë herë si në film, herë si në ëndërr, e herë si një zhgjëndërr po mundohem që të ofroj një ushtrim publicistik, në sinkron me këtë atmorferë.
Fillimisht po rendis 10 shprehje që koha po na i rrëzon. E me siguri, shumë të tjera do ti kuptojmë se i dinim gjithashtu gabim, në të ardhmen:
1.- Shtëpia është hotel.
Tani që jemi të detyruar të qëndrojmë brenda, po e kuptojmë se ajo është foleja jonë e përjetshme.
2.- Nuk e kemi ne jetën në dorë.
Provoni të mos i lani këto ditë duart jo vetëm shpesh, por edhe 20-30 sekonda me sapun, për ta kuptuar se sa gabim e dinim!
3.- Armiku më i rrëzikshëm është ai që harrohet.
Tani po e kuptojmë të gjithë besoj se e vërteta është se armiku më i rrezikshëm, qenka ai që nuk duket!
4.- Nuk kemi kohë.
Vetëm tani që e kemi me aq shumë tepri, mund ta kuptojmë, se sa qenie të gabueshme jemi.
5.- O mete për vete!
Kjo shprehje ra nga “varka” dhe u mbyt, kur kuptuam se jemi të gjithë sëbashku, duke qëndruar mbi të.
6.- Kali i huaj të lë në baltë!
As kali yt nuk të nxjerr dot më nga balta. Për aq kohë sa nuk del nga shtëpia…
7.- Peshku i madh e ha të voglin!
Nuk qenka e thënë. Varet se çfarë lloj peshku është. Imagjinoni nëse do ishte në formën e Covid-19.
8.- A ke qenë ndonjëherë në Kinë,…?
Ska nevojë, se të vjen ajo (po nuk u ruajte), kudo që të jesh.
9.- I burgosur = I dënuar me heqje lirie.
I lirë= I dënuar me qëndrim në… shtëpi.
10.- Më mirë një plan i keq, sesa pa plane hiç.
Askush nuk e dinte deri më sot, se edhe plani më gjenial paska qenë po aq i keq, sa gjithë të tjerët.