Me rreth 2 mijë viktima e mbi 8600 persona të infektuar nga Covid 19, Bergamo është provinca më e goditur në rajonin e Lombardisë e në të gjithë Italinë.
Sot mbi 40 ditë nga nisja e pandemisë, Bergamo i ngjan një qyteti fantazmë, rrugët janë më bosh si në çdo qytet tjetër.
Kronika e përditshme e pandemisë ka trembur banorët më shumë se kudo. Qyteti i origjinës i Papës së Mirë (Papa Gjoni XXIII) që konsideronte “paqen e vërtetë veç qetësinë në liri”, prej shumë javësh ka humbur qetësinë e lirinë.
Paqja është vënë nën kthetrat e sirenave të ambulancave e të kambanave të kishave. Nuk ka qetësi as për të vdekurit.
Emergjenca e pandemisë ka gjunjëzuar këtë qytet duke e bërë të pamundur dhe menaxhimin e ceremonisë së varrimit për qindra viktima që shënohen çdo ditë.
Shokuese imazhet e karvanëve me kamionë ushtarakë që transportonin arkivolet drejt një qyteti tjetër, pasi furra e krematoriumit me kapacitet 25 trupa në ditë nuk i përballon dot.
Familjarët rrinë në pritje me ditë e javë për një ceremoni dinjitoze të të dashurve të tyre.
Rreth 66 mjekë janë viktimë e koronavirusit në Itali e numri më i madh i tyre ishin mjekë në provincën e Bergamos.
Mbi 9 mijë operatorë sanitarë janë infektuar nga virusi e shumica e tyre janë pjesë e sistemit shëndetësor të Bergamos.
“Bergamo nuk ka më mjekë për të ndërruar turnet, Bergamo nuk ka më shtretër, Bergamo nuk ka më vend në varreza” është apeli i kryetarit të Bashkisë së këtij qyteti.
Bergamo ka ulur qepenat e çdo dyqani, ka mbyllur aeroportet, zyrat, ka ndalur makineritë prodhuese e pezulluar çdo aktivitet.
Bergamo po vuan.
Një pjesë e grupit të mjekëve shqiptarë, priten të mbërrijnë dhe në Bergamo.
Ditë më parë një ekip mjekësh rus ka nisur punën pranë strukturave shëndetësor të qytetit.
Por kërkesa për ndihmë në këtë emergjencë nuk merr fund.
Mungojnë veshjet mbrojtëse, maskat, mungojnë ventilatorë frymëmarrje, Bergamo vazhdon betejën kundër virusit në një nga frontet më të egër të kësaj lufte.
Kjo është Bergamo sot që po paguan gabimet e qeverisë që nuk mbylli në kohë në rrethin e zonës së kuqe, territorin e provincës së saj.