Që ditën e parë kur u zbulua pacienti zero, radiologu Renato Osmanaj së bashku me të gjithë stafin e spitalit infektiv ndodhen në vijën e parë të luftës kundër kësaj pandemie e cila deri më tani në vendin tonë ka shënuar 8 viktima dhe 186 të infektuar.
“Neve, në spitalin infektiv, nuk kemi kohë të sëmuremi. Duhet të jemi aty”, kështu shprehet Osmanaj në fillim të intervistës me gazetaren Beti Njuma në studion e RTV Ora, ndërsa rrëfen më shumë detaje në këtë “betejë”.
Nga ekrani ai u dërgon një mesazh dhe tre fëmijëve të tij si dhe u bën një thirrje mjekëve e infermierëve që të mos panikohen.
“Babi ju do shumë, por ky është misioni ynë. Ne jemi stërvitur për të bërë këtë punë. Kjo është luftë dhe ne jemi në luftë!
Të gjithë të panikuarit të largohen dhe të dezertojnë. Nuk do ti gjykojmë për ikjen e tyre. Të rrinë të qetë atje ku janë sepse një i panikuar neglizhon një të sëmurë dhe ne na hap shumë punë. Duke lënë një të sëmurë në shtëpi infekton të tjerë, dhe shumë të tjera. Nuk na duhen të panikuar.
Momentet e dhimbshme bëhen më të lehta kur nxjerrim pacientë nga spitali të shëruar. Ne nuk kemi kohë të jemi të sëmurë. Ne jemi 24 orë në shërbim të sëmurëve të shtruar pranë spitalit infektiv.
Unë me Najadën (Doktoresh Najada Çobo) e kemi vendosur, do të infektohemi të fundit”, përmbyll ai intervistën me një batutë.