Ministrja e Arsimit Besa Shahini tha se për momentin, me nxënësit po punohet me dy mënyra, me internet dhe me leksione nga televizioni.
“Mësuesit dhe nxënësit po merren vesh me njëri tjetrin në forma elektronike më tepër. E vetmja pengesë është se 4 ose 5 përqind të nxënësve nuk kanë internet ose nuk kanë pajisje teknologjike dhe këta nxënës po ndjekin leksionet ose mësimet në televizion. Vlerësimet bëhen nga mësuesit. Temat që janë dhënë gjatë gjithë kësaj kohe, do të fliten me nxënësit. Problemet i kanë ata mësues që kanë shumë nxënës, me të cilët duhet të komunikojë. Të tillë mësues e kanë të vështirë që të flas me nxënësit një më një”, tha Shahini.
Në emisionin “Kjo javë” në “Neës 24”, Besa Shahni u shpreh se do të zëvendësohen të gjitha orët që nuk janë bërë e se nuk rrezikohet viti akademik.
“Ne gjatë kësaj periudhe po bëjmë mësim, prandaj unë mendoj se nuk kemi nevojë që të shtyjmë provimet kombëtare, por do ta shohim nëse duhet ta shtyjmë. Sido të jetë, ne po komunikojmë edhe me Ministritë e Arsimit me vende të tjera të rajonit, për të parë si do të veprojmë. Viti akademik do të mbyllet. Nuk rrezikohet viti akademik. E gjithë bota po kalon në të njëjtën fazë. Për momentin kemi planin A që deri më 3 prill nuk shkojmë në shkollë fizike, por do kemi edhe plan B, nëse duhet të shkojmë tej kësaj date. Nëse kthehemi më 6 prill, duhet të dizinfektohen shkollat, kurse nëse nuk kthehemi, kemi planin për leksione online”, u shpreh Shahini.
Më tej, Shahni shpjegoi se universitetet pavarësisht se kanë autonomi, po shohin mënyrat e marrjes së leksioneve online.
“Universitetet janë autonome, ndaj kemi tjetër raport me ta. Kemi udhëzuar. Universiteti i Durrësit ka disa leksione online. Janë dy platforma që janë falas, ku pedagogu mund ta bëjë ligjëratën live. Unë mendoj se edhe universitetet do të shkojnë drejt transmetimit live”, deklaroi ajo.
Më tutje, Shahini tha se sapo nxënësit të kthehen në shkolla, të shtunat do të bëhen mësim. Ajo shtoi se kjo masë merret, që të zëvendësohen të gjitha orët e humbura.
“Një pjesë e madhe e Bashkisë i kanë mbyllur dizinfektimet. Të gjitha bashkitë kanë kryer dizinfektimin tashmë të shkollave. Nuk e dimë se kur do kthehemi dhe nuk dimë asgjë sa zgjat situata, duhet të veprojmë sipas rrethanave. Nëse kthehemi në shkolla, të shtunat do të bëhen mësim”, tha ministrja Shahini./BW
g.kosovari