Një nga masat mbrojtëse për parandalimin e përhapjes së koronavirusit është pastërtia. Ndryshe nga shumë kryeqytete të Europës, që mbetjet i mbledhin edhe njëherë në javë, Bashkia e Tiranës ka vendosur që të rrisë nga 3 herë në 5 herë në ditë mbledhjen e plehrave në çdo lagje të kryeqytetit.
Duke qenë se në këtë periudhë ku të gjithë janë në shtëpi dhe është rritur dhe konsumi, Bashkia ka vendosur që të përshpejtojë pastrimin e kazanëve të mbeturinave. Paralelisht, vijon puna edhe për pastrimin e rrugëve përmes punonjësve të pastrimit të cilët bëjnë që gjatë 24 orëve çdo rrugë e kryeqytetit të jetë e pastër të nesërmen.
Ndërkaq, një nga prioritetet e Bashkisë së Tiranës këto ditë është dhe dezinfektimi çdo ditë i të gjitha zonave të kryeqytetit. Kryebashkiaku Veliaj u bën edhe njëherë thirrje qytetarëve që në këto ditë të qëndrojnë në shtëpi për të parandaluar përhapjen e COVID 19.
“Ne do të bëjmë maksimumin për të patur një higjienë më të mrië seç kemi pasur në Tiranë dhe në fakt ia kemi mbërritur kësaj dite, por ama janë kontaktet me njerëz ato që sjellin problematikën më të madhe. Ndaj do të doja që të mos shkojmë shumicën e vëmendjes në një punë që Bashkia po e kryen me korrektesë, duke çeduar dhe duke I futur një mendje të lehtë që meqënëse çdo gjë dezinfektuar ne mund të vazhdojmë jetën normalisht. Nuk është aspak kështu. Duhet vigjilencë si në nivelin e bashkisë që menaxhon gjithë qytetin ashtu dhe në nivelin e familjeve të vogla”, tha Veliaj.
Stolat, këndet e fëmijëve, parqet e të moshuarve, koshat e mbeturinave dekorative apo të mëdhenj dhe gjithçka tjetër çdo ditë po realizohet një dezinfektim që në fakt është përdorur dhe më parë por këtë herë me një ritëm më të shpejtë. Procesi i dezinfektimit është duke u realizuar çdo ditë në gjithë hapësirat e gjelbra, lulishte, sheshe kreative.
“Dezinfektimi që u përfol në një lajm të rremë s’ka pikë lidhje me punën që bëjmë në qytet. Ne s’na vjen koronavirusi nga tarracat e pallateve kështu që ti dezinfektosh tarracat e pallateve me helikopter është është jo vetëm e pamençur, por edhe pa dobi. Ajo që ndodh në të gjitha qytetet që në fakt marrin Tiranën si shembull edhe brenda rajonit tonë është e akseve kryesore dhe e hapësirave të përbashkëta që ndodh me mjete të motorizuara. Ne kemi një ekip special të zjarrfikseve të Tiranës kryesisht me solucione më të forta kryesisht në ato lagje ku mund të kenë kaluar kohë të infektuar bartësit që tashmë janë identifikuar, ndërkohë që kemi një ushtri me nënkontraktorë që bëjnë si me vaporizatorë ashtu dhe me solucion pastrimin e rrugëve apo dhe pastrimin e ajrit”, theksoi Veliaj. /e.s/