Nga Alfred Peza
Nuk është hedhur asnjë raketë askund dhe nuk është shkrepur qoftë edhe një pushkë e vetme, por bota prej javësh e pranon se tashmë është në luftë. Armiku quhet COVID- 19 dhe është nisur që të pushtojë secilin prej nesh, nga Wuhan-i.
Atje mjekët i hoqën maskat dhe i çmontuan spitalet portative dhe jeta në Kinë ka rifilluar sërisht si më parë. Për herë të parë në epokën moderne Kina ishte origjinali, ndërsa Milano u bë kopja. Ndaj mjekët erdhën nga Azia në Itali, për ti mësuar se si bëhet rifitohet paqja. Ndërsa sot po na thonë se tani Europa është Kinë. E ndoshta nesër do urojmë, që SHBA, të mos jetë Europë.
Organizata Botërore e Shëndetësisë e shpalli pandeminë globale, ditën që Presidenti i SHBA “tallej” me koronavirusin, siç komentuan mediat amerikane. Tani mjeku i tij tha se lideri më i fuqishëm i botës kishte rezultuar negativ në testin ndaj COVID-19.
Në këtë botë ku prej disa dekadash liderët e saj takohen për të bërë pakte kundër armëve të shkatërrimit në masë, askush nuk ishte kujtuar që të zbulonte armën që do ti jepte fund kësaj lufte, ku ndodhemi sot të gjithë. Bota ka ndaluar. Kufijtë e shteteve janë mbyllur. Bashkë me dyert e familjeve tona. Asnjë makinë, aeroplan e anije, nuk lëviz. I vetmi që nuk pushon, është internet. Ai është zgjedhur Mbreti. Pa të, bota do të ishte në terr dhe ne të tmerruar brenda “shpellave” tona moderne.
Dikur na mësonin se të ikësh në luftë, do të thotë që të dalësh i brengosur nga shtëpia, me shpresën që të rikthehesh një ditë. Ndërsa tani po na thonë të kundërtën: Qëndroni vetëm brenda, nëse doni që të jini sërisht të lumtur, e të dilni gjallë prej aty një ditë.
Gjithashtu na kishin mësuar se armiku më i rrezikshëm ishte ai që harrohej. Tani po e kuptojmë se e paskemi ditur gabim. Armiku ynë i vetëm, është ai që nuk duket. E ai duhet mundur. Arti më i madh i luftës, qenka ta mposhtësh armikun pa luftë. Të luftojmë apo të mos luftojmë, kjo është çështja!
Në Itali, në vendin më të prekur dhe me më shumë dëme njerëzore në Europë nga koronavirusi, mosha mesatare e viktimave të luftës është mbi 80 vjeç. Po pse Herodoti na kishte mësuar se “në paqe djemtë varrosin baballarët. Në luftë baballarët varrosnin djemtë”?
Shumë nga ne jo vetëm kanë qenë kuriozë rreth jetës së tij, por edhe i kanë besuar John F. Kennedy-t si politikan. Atëherë si ta kuptojmë ne sot, thënien e tij se “njerëzimi duhet ti japi fund luftës, përpara se lufta ti japi fund njerëzimit”?! Udhëheqësit tanë politikë kudo në botë, sot po na kërkojnë që të bëjmë kundërtën. Ata duan që ne ta fillojmë menjëherë luftën, përpara se koronavirusi ti japë fund njerëzimit.
Ish Presidenti Amerikan Herbert Hoover që dështoi për të fituar mandatin e dytë për shkak të krizës financiare botërore të viteve ‘30, si ajo që ka trokitur sërisht në tregjet e sotme, shprehej se “të vjetrit shpallin luftën. Por, janë të rinjtë ata që duhet të luftojnë dhe të vdesin”. Ndërsa sot shpallja e luftës nuk është bërë as nga gjeneralët e vjetër dhe as nga politikanët në prag të pensionit. A mos ngaqë ajo po bëhet sot nga çdo moshë, rrezikon gjithashtu të madh e të vogël, pa asnjë dallim?
Duket si një qasje fataliste, por nuk ka pse të jetë e tillë. Për aq kohë sa jo vetëm shpresa vdes e fundit, por edhe shenjat e triumfit mbi të keqen, na bëjnë që të jemi optimistë se do ja dalim. Për këtë na vjen në ndihmë George Santayana i cili dikur thoshte se “vetëm të vdekurit e kanë parë fundin e luftës”. Duke qenë se të gjitha thëniet për luftën janë përmbysur këto ditë, atëherë edhe kjo rrëzohet.
E në vend të saj, nuk është e largët dita kur ne do të dalim sërisht nëpër ballkone, jo vetëm për të kënduar himnin kombëtar e për të duartrokitur mjekët e infermierët si heronjtë e kësaj lufte, por edhe për të gdhendur nëpër të gjitha parvazet tona fjalët: “Ne të gjallët, e pamë fundin e luftës!”
Kur ta kemi gjetur sërisht paqen, do të kuptojmë se jeta jonë është rikthyer, edhe më e bukur se çishte më parë. Sepse tani që nuk e kemi, po e duam edhe më shumë. Ndaj po luftojmë sot, të gjithë bashkë. I mbyllur në shtëpi si të gjithë ata që po luftojnë sipas kësaj mënyre të re, hasa edhe në thënien e Virginia Woolf: “Nuk mund të gjesh paqe, duke shmangur jetën”. Sepse “paqja, prodhohet nga lufta”!