Koronavirusi, apo COVID-19 tashmë pandemi botërore, po mban në alarm tërë botën. Virusi ka prekur 149 vende në mbarë botën dhe po shënon përditë shifra të frikshme të viktimave, përjashtuar Kinën e cila vetëm sot raportoi për 4 raste të reja të infektimit.
Mediat e huaja japin një pasqyrë të plotë të vendeve të prekura dhe të rasteve të identifikuara për secilin vend.
Sipas të dhënave të fundit në mbarë botën janë 149 180 të prekur, 5 551 të vdekur, dhe të shëruar janë 73 712 persona.
Kujtojme se Kina ka 80 976 raste me koronavirus, pas saj vjen Italia me 17 660 raste, dhe Irani me 12 729.
Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19. Kujtojmë se Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person në shumë pjesë të botës.
Ndërkaq, në YouTube, kush të dëshirojë mund të ndjekë në kohë reale ecurinë e koronavirusit në të gjithë botën.. Kjo hartë e llojit të ri u transmetua së pari në 26 janar, dhe që nga 30 janari transmetimi i drejtpërdrejtë nuk është ndërprerë.
“Qëllimi i transmetimit nuk është që dikush të ndjehet i shqetësuar. Unë po paraqes vetëm informacione që më ndihmojnë të kuptoj situatën aktuale”, thuhet në përshkrimin e transmetimit të drejtpërdrejtë.
Numrat bazohen në një kombinim të njoftimeve qeveritare dhe informacionit për median. /e.s/