Ndërsa në Shqipëri është krijuar një gjendje shtetrrethimi, një paralajmërim jo optimist vjen nga Qendra Kombëtare e Urgjencës, e cila ka zhvilluar sot një tender për dezinfektimin e autoambulancave dhe makinave që transportojnë pacientët e infektuar me COVID-19.
Në dokumentet e tenderit, Qendra Kombëtare e Urgjencës sqaron kompanitë se e ka të pamundur të llogarisë numrin e dezinfektimeve, për shkak të përhapjes së koronavirusit.
Urgjenca kërkon që ky shërbim të ofrohet deri në fund të vitit 2020, duke parashikuar kështu një luftë të gjatë me virusin që ka alarmuar botën. Në dokument, urgjenca thekson se shërbimi i dezinfektimit duhet të ofrohet në çdo orë të ditës dhe të natës, sidomos në situata urgjente dhe të paparashikuara.
Dezinfektimi i autoambulancave dhe automjeteve të tjera do të bëhet sa herë që ka raste të transportit të një pacienti të infektuar me COVID-19.
Në datën 9 mars, Ministria e Shëndetësisë, në një njoftim zyrtar pas mesnate, konfirmoi dy rastet e para me koronavirusin e ri COVID-19 në Shqipëri. I pari ishte një 28-vjeçar, i cili kishte ardhur nga Firence në Shqipëri, duke infektuar edhe babanë e tij. Sot numri i të infektuarve ka shkuar në 27, ndërsa ka ndërruar jetë një 73-vjeçare.
Ndërkaq, Qendra Kombëtare e Urgjencës ka nisur të marrë masat mbrojtëse për personalin shëndetësor që në datën 6 mars, pra tre ditë para. Në gjashtë mars, urgjenca është pajisur me maska FFP2, syze mbrojtëse plastike transparente, kominoshe njëpërdorimshme dhe mjete të tjera mbrojtëse të specifikuara kundër Covid-19.