Policia ka parandaluar dy grabitje banesash duke vënë në pranga personat që kanë tentuar ti vjedhin. Tentativat e vjedhjes së banesave kanë ndodhur në kryeqytet dhe në Durrës. Kanë qenë vetë pronarët ata që kanë lajmëruar policinë. Uniformat blu, pas marrjes së informacionit kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, duke arrestuar autorët. Në Durrës autori u arrestua në flagrancë, ndërsa në kryeqytet policia i arrestoi ata disa orë pas ngjarjes. Një grua në Tiranë ka njoftuar policinë pasi dy të rinj kanë tentuar t’i futen në shtëpi për ta grabitur, por gjithçka ka mbetur në tentativë. Blutë e kryeqytetit thanë se pas denoncimit të pronares së shtëpisë policia arrestoi dy autorët dhe nga kontrolli në banesën me qira ku ata jetonin, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale armën e zjarrit pistoletë, me një krehër me fishekë, të cilën dyshohet se këta shtetas do ta përdorin për të realizuar vjedhjen.
Në prangat e uniformave blu të kryeqytetit përfunduan të rinjtë me inicialet G. A. alias S. H., 23 vjeç dhe E. S., 25 vjeç, të dy banues në Tiranë. Arrestimi i dy të rinjve të lartpërmendur u bë i munduar nga Komisariati i Policisë Nr. 3, në kuadër të operacionit policor “Egnatia”. Gjatë operacionit, në banesën me qira të këtyre shtetasve, Policia gjeti dhe sekuestroi edhe armën e zjarrit tip pistoletë që dyshohet se këta shtetas e kishin me vete gjatë tentativës për të kryer vjedhjen. “Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, pas njoftimit të marrë se në rrugën “Don Bosko”, në banesën e shtetases me inicialet S. M., dy shtetas kishin tentuar të hynin në banesë dhe njëri prej tyre dyshohej se mbante një armë zjarri në dorë, menjëherë kanë shkuar në adresën e dhënë. Falë veprimeve të shpejta e profesionale, brenda një kohe të shkurtër, Policia identifikoi dhe vuri në pranga autorët e dyshuar, shtetasit me inicialet G. A. alias S. H., 23 vjeç dhe E. S., 25 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Gjatë kontrollit në banesën e marrë me qira nga këta shtetas, në rrugën “Egnatia”, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale armën e zjarrit pistoletë, me një krehër me fishekë, të cilën dyshohet se këta shtetas do ta përdorin për të realizuar vjedhjen. Vijon puna për dokumentimin e ngjarjeve të tjera në të cilat mund të jenë implikuar këta shtetas”, sqaroi policia në lidhje me këtë ngjarje. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale “Vjedhja e mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim” dhe “Armëmbajtja pa leje”, për të cilën parashikohet dënimi me burgim deri në 7 vjet.
Arrestimi i 32-vjeçarit në Durrës
Një 32- vjeçar, i cili tentoi të futet për të vjedhur në një banesë në Durrës u arrestua nga policia e qytetit bregdetar. Ishte shtetasi me inicialet K. M., pronari i banesës i cili telefonoi Policinë duke kallëzuar se në katin e dytë të banesës së tij ishte futur dikush. Policia mbërriti menjëherë në adresë dhe kapi në flagrancë shtetasin me inicialet Xh. Y., 32 vjeç në banesën e tij. “Pas një telefonate në Sallën Operative Durrës, nga shtetasi K. M., se dikush ishte futur për të vjedhur në katin e dytë të banesës së tij, shërbimet e Patrullës së Përgjithshme, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës, menjëherë kanë mbërritur në adresën e dhënë dhe kanë bërë të mundur kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit me inicialet Xh. Y., 32 vjeç, banues në Durrës”, tha policia. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprën penale “Vjedhja, e mbetur në tentativë”. I riu pritet që në ditët në vijim të dalë përpara gjykatës për tu njohur me akuzat dhe masën e sigurisë që do të caktohet ndaj tij.