Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve kërkon nga të gjithë qytetarët që të shmangni sportelet fizike, dhe të aplikojnë online për çdo kërkesë drejtuar Administratës Tatimore. Me qëllim shmangien e përhapjes së virusit COVID-19, ftojnë qytetarët që për 11 shërbime të aksesohen online, ndërsa çdo kërkesë mund të depozitohet ne kutinë postare apo mund ta dërgojnë atë nëpërmjet shërbimit postar.
Shërbimet online që mund të merren janë vërtetim për pagim detyrimesh, vërtetim për pagimin e kontributeve nga subjekti, vërtetim për posedim mjeti, Vërtetim për pagimin e kontributeve për individin, vërtetim për regjistrim të investitorit, Vërtetim për statusin e tatimpaguesit (aktiv-pasiv), vërtetim për përgjegjësitë tatimore, vërtetim për tatimpaguesit e regjistruar për qarkullimin e realizuar për 3 vitet e fundit, vërtetim për individ të paregjistruar, Lëshim certifikatë rezidence për subjekte dhe Konfirmim listë pagesash.
Ndërkaq, edhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave në kuadër të masave kundër përhapjes së koronavirusit ka pezulluar të gjitha shërbimet që iu jepen operatorëve ekonomik pranë sporteleve të Doganës. Në urdhrin e nxjerrë nga Drejtori Gjon Bardhi thuhet se po ashtu se do të pezullohen të gjitha kontrollet e planifikuara pranë ambienteve të operatorëve ekonomikë në terren nga strukturat e drejtorisë së doganave edhe nëpër rretheve. Konkretisht do të pezullohen kontrollet e mbikëqyrjes doganore/ akcizës/ regjimeve doganore.
Kontrollet e mbikëqyrjes doganore emergjente do të vijojnë sipas procedurave ligjore, ndërsa përjashtim nga kjo pikë bëjnë strukturat e Antikontrabandës, Informacionit, Antitrafikut. /e.s/