Një grua 66-vjeçare me një histori sëmundje zemre ndërroi jetë të mërkurën në spitalin Pirogov në Sofje si pasojë e koronavirusit – viktima e parë e konfirmuar zyrtarisht e sëmundjes në Bullgari. Burri i saj 74-vjeçar është në të njëjtin spital dhe gjithashtu është diagnostikuar me koronavirus, por është në një gjendje relativisht të qëndrueshme.
Bullgaria, deri më tani, ka konfirmuar shtatë raste me koronavirus – një prej tyre ishte gruaja që vdiq të mërkurën.
Katër rastet e para në Bullgari u raportuan më 8 mars, dy në Gabrovo dhe dy në Pleven.
Gjendja e këtyre pacientëve aktualisht është e mirë, thanë autoritetet.
Të mërkurën, autoritetet konfirmuan një rast tjetër, një doktoreshë që kohët e fundit kishte udhëtuar dhe ishte testuar për virusin. Gjendja e saj është gjithashtu e mirë, thanë autoritetet.
Vdekja e parë nga koronavirusi në Bullgari pason vjen pas lajmeve për vdekjen e parë në Shqipëri. Ministria shqiptare e shëndetësisë raportoi se një pensioniste nga qyteti portual i Durrësit ndërroi jetë nga komplikimet pasi ishte infektuar nga koronavirusi.
Në Itali, zona më e prekur në Europë, numri i të prekurve është rritur në rreth 10,000. Por shifrat po shtohen shpejt edhe në vende të tjera. Numri i të prekurve ka arritur në rreth 500 në Mbretërinë e Bashkuar dhe rreth 1,000 në SHBA. Belgjika dhe Irlanda regjistruan vdekjet e tyre të para të mërkurën.