Kryeministri Edi Rama përcolli pasditen e sotme mesazhin e Alban Skënderajt në lidhje me masat që duhet të marrin vetë qytetarët për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.
Duke falënderuar këngëtarin për sensibilizimin e publikut, Rama tha se frikë jo, kujdes po.
“Të ruajmë veten dhe njëri-tjetrin duke kufizuar sa më shumë kontaktet fizike! Të lajmë duart sa më shpesh për jo më pak se 20 sekonda! Të kufizojmë daljet dhe uljet nëpër kafene e restorante, vajtjet në palestra, disko e në mjedise të mbyllura me kontakte të shumta! Të mbrohemi me maskën e arsyes nga INFODEMIA – lajmet, kronikat, komentet, debatet që krijojnë konfuzion, pasiguri, shkurajim! Të ndjekim me rigorozitet këshillat e autoriteteve shëndetësore dhe t’u referohemi informacioneve zyrtare”, theksoi kryeministri Rama.
Alban Skënderaj në mesazhin e tij iu bën thirrje qytetarëve të qëndrojnë në shtëpi nëse nuk kanë punë urgjente për të kryer. “Bëjeni këtë për vetën dhe të afërmit tuaj”, shprehet ai.
“Ne si komb kemi kaluar sfida të jashtëzakonshme dhe jam i bindur se edhe këtë sfidë mund ta kalojmë së bashku si një familje e madhe. Shteti na udhëheq dhe na thotë se çfarë është më e mira për të bërë. Bëni durim dhe jam i bindur se në një kohë të shkurtër ky mund të jetë vetëm një kujtim i keq”, shprehet Skënderaj.