Pas vendimit të qeverisë për masat kundër përhapjes së koronavirusit, në të gjithë vendin ka nisur zbatimi i tyre. Siç raportojnë institucionet publike, në Tiranë, Fier, Lezhë dhe Vlorë ka nisur puna për dezinfektimin e institucioneve publike apo reduktimin e shërbimeve për të shmangur grumbullimet e qytetarëve në vende të caktuara.
Masat në Fier: Mbrëmjen e djeshme është bërë dezinfektimi i ambienteve publike në qytetin e Fierit. Tre grupe dezinfektuesish kanë nisur prej lulishteve dhe institucioneve publike, rrugë dhe sheshet të këtij qyteti dezinfektimin me preparate kimike si masë parandaluese dhe higjenës në qytet. Ndërkohë, më herët është bërë dezinfektimi i dhjetra kopshte, çerdhe dhe shkolla.
Masat në Lezhë: Bashkia Lezhë pezullon punën në zyrën me një ndalesë dhe pritjen për qytetarët. Ata që kanë nevojë për shërbime mund t’i drejtohen me kërkesë nëpërmjet postës elektronike.
Masat në Vlorë: Gjatë mbrëmjes janë dezinfektuar disa prej institucioneve vendore të qytetit të Vlorës nga bashkia Vlorë. Respektivisht është bërë dezinfektimi i ambienteve të pallatit të kulturës, ambienteve ku zhvillon mbledhjen e këshillit Qarku i Vlorës, zyrat e gjendjes civile si dhe agjensisë së punësimit dhe aftësive në Vlorë. Procesi ka nisur prej mbrëmjes deri në orët e mëngjesit. Ditën e djeshme janë dezinfektuar dhe porti detar, trageti i linjës Vlorë-Brindisi, spitali rajonal si dhe policia e qarkut. Mbeten edhe disa institucione që do të dezinfektohen gjatë ditës së sotme. Ndërkoë, gazetari i Ora Neës në Vlorë, Edi Ruçi raporton se gjatë ditës së sotme do të niset një traget nga Brindisi në drejtim të Vlorës.
Masat në Durrës: Edhe në Durrës ka nisur dezinfektimi i ambienteve publike të qytetit. Nëpërmjet një komenti në Facebook kryebashkiaku i Durrësit, Zhuljen Varfaj shkruan: “Mirëmëngjes me këto foto të dezinfektimit të hapësirave publike nga stafi i bashkisë. Vijojmë zbatimin e masave për parandalimin e përhapjes së koronavirusit. mi të gjitha nuk duhet panik, por shumë higjienë personale dhe kujdes i vazhdueshëm. Ruani veten dhe njëri- tjetrin duke ndjekur të gjitha rregullat e njoftimet zyrtare”.
Masat në Tiranë: Ditën e sotme janë dezinfektuar urbanët e transportit brenda për brenda Tiranës.