Pamjet që shihni janë nga aksidenti që ndodhi mbrëmë në rrugën “Dritan Hoxha” ku për pasojë një person humbi jetën. Ngjarja ndodhi rreth orës 23:50 në Laprakë. Siç shihet dhe nga pamjet, në aksident janë përfshirë dy automjete, të cilat nga përplasja janë dëmtuar shumë.
Nga Shërbimet e Policisë Rrugore u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A.Ç., 30 vjeç, sepse duke drejtuar në gjendje të dehur mjetin është përplasur me një mjet me drejtues shtetasin A.S.
Si pasojë e përplasjes ka ndërruar jetë shtetasi F.A., pasagjer në mjetin me drejtues shtetasin A.Ç. Ky shtetas gjatë marrjes në pyetje ka dhënë deklarim të rremë përpara oficerit të policisë gjyqësore duke thënë se drejtues mjeti ka qenë shtetasi F.A.
Materialet u referuan pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, “Deklarim i rremë para oficerit të policisë Gjyqësore” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.