Nga Artur Ajazi
Ilir Meta ka nisur një “betejë” të pakuptimtë dhe dëshpëruese, e cila është e humbur qysh ditën e parë, kur ai ka nisur sulmet e parreshtura edhe ndaj faktorit ndërkombëtar.
Përfundimisht ai ka mbetur jashtë vëmëndjes dhe axhendës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe kjo jo për faktin e “sulmeve” (sepse nuk i gjuhet malit me gurë) por të diçkaje tjetër,që lidhet me një kohë tjetër. Lufta me “gurë” e presidentit Meta, shihet si pamundësia e tij për tu bërë sërish “faktor i rëndësishëm” në tapetin e politikës shqiptare. Tashmë ai e di fare mirë se, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e ka hequr nga axhanda dhe “vëmëndja amerikane”, njeriun që u ka shpallur luftë institucioneve të shtetit në vendin e tij. Ilir Meta, për SHBA dhe Departamentin e Shtetit, nuk është më presidenti i Shqipërisë, por njeriu në ikje e sipër. Dhe kjo gjë, tanimë është vendosur, jo për faktin se Komisioni Hetimor ka përshpejtuar procesin, por edhe sepse Ilir Meta ka vendosur të marrë tjetër rol, atë të opozitaristit të “herkut”. Mbështetja e ambasadores amerikane zonjës Kim, ndaj zbatimit të reformave dhe qeverisjes Rama, mbështetja e saj së fundi edhe ndaj ministres së Drejtësisë Etilda Gjonaj, ishte shuplaka më e fortë që ju dha Ilir Metës.
Ndërkohë sulmi që shpura presidenciale, nisi menjëherë (pas deklaratave të zonjës Kim) ndaj Ambasadës së SHBA, ishin hapa primitive dhe dritëshkurtër, të një institucioni që është katandisur si mos më keq. Ilir Meta, dhe askush tjetër milioner i ish-pushteteve të vjetra, nuk do të arrijnë dot kurrë të pengojnë me dhunë verbale apo dhe fizike, procesin e reformave të organeve të drejtësisë, apo procesin e integrimit të vendit në BE. Roli i dyfishtë i një presidenti në ikje, ku njëherë u shkruan dhe u “lutet” kancelarive europiane “të hapin negociatat”, dhe njëherë tjetër u tregon atyre përralla me “pranverën kuq e zi”, ka marrë fund. Ngritja dhe ngjirrja e zërit në bulardin e Tiranës, mbushja e sheshit me “demokratë” të pezmatuar, puthja e flamurit amerikan, dhe valëvitja e tij në momentin e betimit se “në 15 Mars do të bëhet hataja në Parlament”, ishin veprimet e një politikani të konsumuar dhe të dështuar, që tenton të keqpërdorë simbolet e shtetit më demokratik të botës. Ikja e Ilir Metës nga posti i presidentit, është çështje kohe, ndoshta javësh, pasi “viza e kuqe” amerikane, nuk mund të jetë shpresëndjellëse për një njeri, që e njeh mirë politikën e superfuqisë botërore.
Tanimë Ilir Meta, për SHBA dhe Departamentin e Shtetit , është simboli i politikës së vjetër, ashtu siç ka qenë dhe mbetet i tillë, edhe “miku” i tij në PD. Lënia jashtë vëmëndjes dhe axhendës amerikane të kreu të shtetit, shihet si një moment i rëndësishëm kthese në rrugëtimin e Shqipërisë Europiane. Kjo për faktin, sepse SHBA mbetet e vendosur në parimet e saj, për të ngritur dhe siguruar në Shqipëri, një sistem të perfeksionuar drejtësie të pavarur nga politika, që do të gozhdojë me forcën e ligjit jo vetëm botën e errët të krimit, por edhe mbështetësit e dukshëm dhe të padukshëm të politikës së vjetër.