Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj konfirmoi në “Real Story” në News24 se paketa e njohur si anti-KÇK ka ndryshuar nga varianti fillestar. Lleshaj tha se ekspertë të shumtë kanë punuar për ta sjellë ligjin në parametra të tillë që të kalojë në Kuvend.
Sa i përket mungesës së ish-ministrit Fatmir Xhafaj në votim, ai tha se nuk e ka vënë re pasi ka qenë i ngarkuar.
“Varianti final nga ai fillestar ka ndryshuar. Ka qenë proces diskutimi, janë marrë shumë ekspertë, të cilët kanë punuar fortë për ta sjellë ligjin në ato parametra që të jetë i pjekur për të kaluar në Kuvend. Ka pasur shumë ndryshime.
Sot nuk e kam vënë re mungesën e z. Xhafaj për të qenë fare i sinqertë. Ka qenë një ditë e ngarkuar, gjithë ditën në Kuvend por nuk do ta komentoja. Nuk komentoj paraardhësit, e kam si princip”, deklaroi Lleshaj.
Sa i përket ndryshimeve të tjera jashtë për çështjen e përgjimeve që i jep më shumë autoritet policisë, Lleshaj tha se nuk ka mbivendosje me prokurorinë dhe se kjo i jep mundësinë policisë të veprojë pa qenë e varur nga operatorët telefonikë.
“Ligji që kemi miratuar sot nuk ka lidhje me këtë. Këto janë në proces, akoma të pakaluara në Kuvend. Sot kemi kaluar vetëm aktin normativ special që merret me pasurinë. Është një akt me natyrë të pastër administrive.
Nuk ka mbivendosje. Ne flasim për dy koncepte, përgjim dhe interceptim. Policisë i ka munguar një atribut për të përgjuar, lokalizuar. Policia nuk e ka pasur dhe nuk e ka ende sot dhe është e varur nga operatorët telefonikë.
Ka pasur raste por ka qenë në vullnetin e kompanive. Ligji nuk i jepte kompetencën për të vepruar në çast”, tha Lleshaj.