Borxhi që bizneset kanë ndaj administratës tatimore është rritur me 93 milionë Dollarë vetëm gjatë vitit 2019-ë, duke arritur në një shifër rekord prej 1 miliard e 170 milionë Dollarësh.
Shuma që sipërmarrja i detyrohet buxhetit të shtetit përbën 10% të Prodhimit Kombëtar të vendit dhe një të katërtën e buxhetit të shtetit për këtë vit.
Në një raport të hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, konstatohet se nga viti 2018 borxhi i ri që kanë akumuluar privatët është rritur me 9%, pas një periudhe që ky stok pësoi rënie pas nismës që mori qeveria 3 vjet më parë për faljen dhe fshirjen e një pjese të detyrimeve ndaj administratës.
Pjesa më e madhe e detyrimeve lidhet me pagesat që kanë kompanitë për tatimin mbi vlerën e shtuar, tatimin mbi fitimin, ndërsa një shumë të konsiderueshme zënë edhe pagesat e sigurimeve shoqërore të cilat arrijnë në 150 milionë Dollarë dhe kërcënojnë marrjen e pensionit në të ardhmen nga disa qindra punonjës.
Një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit disa muaj më parë evidentoi se debitorët më të mëdhenj ndaj buxhetit rezultonin 50 kompani të mëdha, një pjesë e tyre me kapital publik, apo firma në fushën e hidrokarbureve të cilat gjenerojnë të ardhura vjetore në miliona Dollarë.
Së fundi, qeveria ka prezantuar një nismë për të kryer një amnisti gjithëpërfshirëse, të deklarimit të kapitalit informal por dhe lehtësimit të skemës për pagesën e një pjese të detyrimeve tatimore, të cilat 2 vjet pas nismës së fshirjes janë rritur me 300 milionë Dollarë.
/a.r