Me tone të forta e ka nisur fjalën në kuvend, Kryeministri Edi Rama, teksa ka deklaruar prerë se qeveria e tij është fytyra e anti KCK-së. Duke folur për nismën e qeverisë që shënon sipas tij betejën më të fortë në 3 dekada kundër krimit të organizuar, kanë dalë ata që ai i ka quajtur horra e hipokritë me kostum në mbrojtje të kriminelëve.
“Shqiptarët pyesin për shiun e lotëve të shumëkujt që ka një zë në publik, përfshirë edhe juve, për ata që ua kanë fshirë diellin nga sytë viktimave të krimit të organizuar, të rrëmbyera, trafikuara e abuzuara rrugëve të Evropës, mijëra prindërve që i shohin fëmijët e tyre të droguar, për ata që u kanë fshirë diellin nga sytë jetimëve që kanë mbetur pa baballarë se ua kanë vrarë këta për të cilët zotrore flet për një karabina aty, e një tufë me dhi andej.
Unë nuk jam dhe e them sinqerisht aspak i befasuar nga përkrahja e befasishme që ka gjetur elita e krimit të organizuar sapo ne e shpallëm betejën më të skajshme kundër kësaj mortjeje që e ka tollovitur vendin 3 dekada me radhë, e që falë horrave dhe hipokritëve me kostum që kanë pasur një mikrofon në dorë e ka bërë horr Shqipërinë edhe në sytë e shumë njerëzve që shqiptarë nuk janë por që e ndjekin vendin tonë e shkruajnë e hedhin helm me kënaqësinë më të madhe për vendin tonë.
Si ka mundësi që pikërisht kur shfaqet më e thellë dhe fort se asnjëherë në 3 dekada vija e kuqe mes shtetit dhe krimit të organizuar ngrihet një koalicion kaq i larmishëm mes segmentesh dhe protagonistësh që vijnë nga gjithë rrugët e jetës publike nga mediat te i ashtuquajturi president, nga opozitat këtu para meje, e atje në rrugë, deri te avokati i popullit për ti qarë hallin këtyre të shkretëve, që kanë vrarë, përdhunuar, trafikuar ca kanë mundur, grabitur pronat, shantazhuar njerëzit dhe sipërmarrësit e qe medemek tani po dhunohen.
Po turp nuk ju vjen fare, nuk ju vjen turp gjithë këtyre njërezve që kanë një mikrofon në dorë, që dalin një një ekran, të thonë një fjalë dhe janë bërë karvan qorrash për të bërë pelegrinazhin në drejtim të qelive apo në drejtim të gjithë atyre që nuk janë kycur akoma duke cuar mesazhin që ne jemi me ju“, tha Rama,
g.kosovari