Bashkimi Evropian ka premtuar mbi 780 milion dollarë për të ndihmuar Greqinë të përballet me numrin në rritje të migrantëve që përpiqen të hyjnë nga Turqia. BE-ja druhet për një përsëritje të krizës së vitit 2015. Greqia ka mbyllur kufirin tokësor dhe ka shtuar masat e sigurisë ndërsa dhjetëra mijëra migrantë mbeten të bllokuar përgjatë kufirit. Bashkimi Evropian thotë se faji për krizën bie plotësisht mbi Turqinë. Njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgwell.
Pranë ishullit Lesbos, në detin Egje, anijet e rojës bregdetare greke duket se po kapin një gomone të mbushur me migrantë. Policët qëllojnë me armë vetëm pak metra larg gomones. Pamjet e ofruara nga qeveria turke nuk mund të vërtetohen nga Zëri i Amerikës, por nuk janë mohuar nga Greqia.
Rojet greke të kufirit publikuan një video ku shihet një anije e patrullës turke që ndihmon një gomone plot me migrantë të arrijë në Greqi.
Në shenjë solidariteti për Greqinë, presidentët e Komisionit të Bashkimit Evropian, Këshillit dhe Parlamentit, ju bashkuan të martën kryeministrit grek për një vizitë në kufirin tokësor. BE-ja ka premtuar mbi 780 milion dollarë për të ndihmuar Greqinë të përballojë gjendjen. Evropa nuk do që të përsëritet kriza e migrantëve të vitit 2015. Ursula von der Leyen është Presidente e Komisionit Evropian.
“Nuk është thjesht kufiri i Greqisë, por gjithashtu i Evropës. Ndërsa jam këtu si evropiane në anën tuaj, dua të shpreh dhembshurinë time për migrantët që janë joshur me premtime të rreme në këtë situatë të dëshpëruar.”
Mijëra migrantë filluan të bashkohen në kufirin perëndimor të Turqisë të premten, pasi Presidenti Recep Tayyip Erdogan i inkurajoi ata që të shkonin drejt Evropës.
“Numri i njerëzve që shkojnë në kufi së shpejti do të arrijë në miliona.”
Ai akuzoi BE-në se ka dështuar të ofrojë mbështetje pas luftimeve intensive në provincën Idlib të Sirisë, që ka detyruar qindra mijëra njerëz të braktisin shtëpitë e tyre.
Shumica e migrantëve që shkojnë në Greqi duket se janë nga Afganistani, përkrah atyre nga Irani, Iraku, Siria dhe gjetkë.
Kyriakos Mitsotakis është Kryeministër i Greqisë.
“Dhjetra mijëra njerëz që u përpoqën të futen në Greqi gjatë ditëve të fundit nuk erdhën nga Idlibi, ata kanë jetuar prej një kohe të gjatë në Tuqi. Evropa nuk do të shantazhohet nga Turqia me çështjen e refugjatëve.”
Shumë migrantë po përpiqen të kalojnë lumin Evros përgjatë një pjese të kufirit. Ky grup u bllokua në një ishull pasi nuk mund të kalojë kufirin. Sinan Yilmaz është migrant nga Afganistani.
“Disa miq të mi kaluan mbrëmë, por atyre u morën gjithçka, paratë dhe këpucët, dhe i ktheyn mbrapsht. Prandaj nuk po përpiqemi të kalojmë deri sa të hapen dyert.”
Grupe të drejtave të njeriut e kanë kritikuar reagimin e Evropës. Ja ç’thotë Ben Ward i grupit Human Rights Watch:
“Solidariteti është thelbësor, por solidaritet që kërkon ndarjen e përgjegjësive për pritjen dhe përpunimin e azilkërkuesve, në vend të solidaritetit për të mbajtur njerëzit larg Evropës.”
Qëndrimet mes grekëve duket se janë ngurtësuar. Banorët në ishullin Lesbos të shtunën u përpoqën të ndalonin ankorimin në breg të një gomoneje me migrantë.
Greqia dhe Evropa po synojnë të kenë mbështetjen publike për qëndrimin e ashpër. Ata fajësuan direkt Turqinë. Të kapur në mes janë dhjetëra mijëra migrantë të dëshpëruar, si gurë shahu të një loje diplomatike. /voa/